E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë: Edhe të pavarurit japin llogari

TIRANE-Deklarates se Shoqates se Prokuroreve, Ministria e Drejtesise iu pergjigj me nje tjeter deklarate.
Ja deklarata e plote
Ministria e Drejtësisë, në respekt të informimit të qytetarëve, në lidhje me deklaratën e dërguar në media nga Zyra e Prokurorit te Pergjithshem ne emer te shoqates se prokurorëve, për raportin vjetor ne lidhje me inspektimin e prokurorisë, dërguar Kuvendit, dëshiron të sqarojë se:

Hartimi i raportit vjetor, periodik, të Ministrit të Drejtësisë drejtuar Kuvendit përmban fakte të verifikuara përgjatë inspektimeve në terren të zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë përgjatë një viti. Çdo fakt i paraqitur në të dhe çdo konkluzion i nxjerrë bazuar në faktet e paraqitura gjen mbështetje në inspektimet e veçanta të zhvilluara. Çdo konkluzion i nxjerrë përmban arsyetimin ligjor të faktit të konstatuar. Cdo pjese e ketij raporti, i eshte derguar ne kohe ne ndryshme zyres se Prokurorit te Pergjithshem dhe Institucionit te Presidentit. Dergimi i Raportit periodik vjetor eshte detyre e Ministrit te Drejtesise në zbatim të nenit 56 të ligjit nr. 8737/2008 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH

Rritja e përgjegjshmërisë së institucioneve të drejtësisë, ndaj ligjit dhe Kushtetutës është nje shqetësim real, për publikun shqiptar, dhe të gjithë faktorin ndërkombëtar. Respektimi i institucioneve dhe i pavarësisë së tyre, ështe absolutisht, po aq e rëndësishme sa përballja e tyre me ligjin. Përgjegjshmëria ndaj Kushtetutës dhe ligjeve janë komponent i qënësishëm i ndarjes së pushteteve dhe premisë bazë për një shtet demokratik që synon të garantojë liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Te jesh i pavarur, nuk do te thote te mos japesh llogari, dhe procesi i llogaridhenies eshte proces vital per konsolidimin e shtetit te se drejtes ne Shqiperi.

Në fokus të inspektimeve të kryera nga Ministria e Drejtësisë gjate nje viti, ka qenë verifikimi i politikës penale në përputhje me kompentcat ligjore të nenit 56 të ligjit nr. 8737/2008 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH”, i ndryshuar. Objekti i inspektimeve është përcaktuar në përputhje me shqetësimin dhe ankesat e publikut, mbi ushtrimin e një politike penale të gjatë vitit të kaluar nga prokuroria, duke aplikuar masa të ulëta dënimi.

Ministria e Drejtësisë evidenton se bazuar në rezultatet e inspektimeve një politikë e padrejtë penale ndaj marrjes së jetës së shtetasve është absolutisht e papranueshme në një shtet, ku sundon ligji dhe ku siguria publike duhet të ekzistojë. Një politikë penale e padrejtë jep sinjalin më negativ sepse sulmon drejtpërdrejt dhe në mënyrë agresive sigurinë publike të qytetarëve. Kundërpërgjigjja e institucioneve publike në këto raste duhet të jetë e menjëhershme, efektive, me integritet dhe mbi të gjitha të gëzojë mbështetjen e opinionit publik.

Ministria e Drejtësisë respekton maksimalisht pavarësine e institucionit, duke i bërë të ditur se askush nuk është i pakontrollueshëm. Ministria e Drejtësisë, si pjesë e pushtetit ekzekutiv, mbështet, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë e saj me prokurorinë në respekt të plotë me parimin e qeverisjes të sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Parimi i ndarjes së pushteteve, siç ka interpretuar edhe Gjykata Kushtetuese, nuk duhet kuptuar që çdo pushtet është i mbyllur dhe i pakontrolluar nga askush. Ndarja e pushteteve midis tri degëve të qeverisjes garantohet vetëm nëpërmjet sistemit të kontrolleve dhe ekuilibrave.

Në këtë kontekst është detyrë funksionale e Ministrisë së Drejtësisë që në zbatim të Kushtetutës së vendit, nenet 7, 15, 80, 148 dhe 149, të ligjit nr. 8737/2008 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH”, i ndryshuar, neni 56, si dhe të ligjit nr. 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, neni 6 pika 10, të kontrollojë dhe inspektojë organin e prokurorise. Në zbatim të të njëjtit kuadër ligjor, gjetjet e çdo inspektimi i janë vënë në dispozicion Prokurorit të Përgjithshëm dhe Presidentit të Republikës, në kohën e duhur, menjëherë pas përfundimit të çdo raporti inspektimi. Sigurisht që, në respekt të detyrimeve ligjore, shoqata e prokurorëve nuk është njoftuar për rezultatet e këtyre inspektimeve.

Po ashtu, në zbatim të nenit 56 të ligjit nr. 8737/2008 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH”, i ndryshuar, të gjitha gjetjet e raporteve të përmbledhura i janë paraqitur për informim Kuvendit të Shqipërisë. Ky informim është realizuar përmes dorëzimit të një raporti përmbledhës, i cili i referohet rasteve duke hequr atributet e procedimeve penale dhe emrat e prokurorëve në respekt të plotë të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e organit të prokurorisë në RSH”, i cili kërkon që Kuvendi të informohet në mënyrë të përgjithshme për rezultatet e inspektimeve

Ministria e Drejtësisë garanton se veprimtaria e saj është e orientuar për drejt profesionalizmit te larte dhe respektimin e shtetit të së drejtës ku sundon ligji dhe Kushtetuta dhe gjen rastin të inkurajojë të gjithë prokurorët e ndershëm te Republikes për një luftë pa kompromis me krimin ne cdo forma qe shfaqet ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›