E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë: Shkarkimi i gjyqtarëve të Delijorgjit iniciativa e ministrit, mospjesëmarrja në votimin e KLD-së e ‘imponuar’ nga ligji

Shkarkimi i i tre gjyqtarëve të Apelit, që kishin zhveshur nga përgjegjësia ligjore Mihal Delijorgjin në fundin e vitit 2007, u bë pas një nisme të Ministrit të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor mbështetet në drejtim të provave të grumbulluara qoftë nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, qoftë nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Këtë sqarim e ka bërë dje zyrtarisht Ministria e Drejtësisë, pas shtrembërimeve që disa media i kishin bërë këtij fakti.
Jo vetëm kaq, por Ministria e Drejtësisë, ka sqaruar edhe mospjesëmarrjen e Ministrit Enkeljed Alibeaj në votim, si një mospjesëmarrje që ia “impononte” ligji.
“Ministri i Drejtësisë shpreh bindjen se respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve është detyrim për të gjithë, pa dallim funksioni dhe pozite dhe se vetëm nëpërmjet zbatimit rigoroz të ligjeve fitohet autoriteti i kërkimit të llogaridhënies për shkelje të ligjit dhe jepen shembujt për përgjegjshmërinë përpara ligjit”, shprehte garancitë dje, Ministria e Drejtësisë.

Procedimi
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Ministria e Drejtësisë ka bërë ët ditur dje, se, “në mbështetje të kuadrit kushtetues dhe ligjor që rregullon procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve në KLD, Ministri i Drejtësisë është autoriteti që ka të drejtën për nisjen e procedimit disiplinor dhe për propozimin e masës konkrete disiplinore ndaj gjyqtarit të proceduar. Nisma e Ministrit të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor mbështetet në drejtim të provave të grumbulluara qoftë nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, qoftë nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
Më tej, Ministria e Drejtësisë, ka shpjeguar edhe rrethanat e nisjes së procedimit penal ndaj gjyqtarëve të Apelit, Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo.
“Në kushtet kur Ministri i Drejtësisë është autoriteti që formulon me shkrim rrethanat e shkeljes së detyrës nga gjyqtari, kërkon me shkrim procedimin disiplinor të gjyqtarit dhe propozon me shkrim masën konkrete disiplinore që KLD duhet të vendosë për gjyqtarin, Ligji ka parashikuar në mënyrë të shprehur që Ministri nuk merr pjesë në votim sepse vota e tij është tashmë e deklaruar publikisht. Ky parashikim është në përputhje edhe me standardet e procesit të rregullt ligjor të garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut si një e drejtë themelore, pjesë e të cilit është barazia e palëve në një proces ligjor sepse sipas Ligjit edhe gjyqtari i proceduar nuk merr pjesë në procedurën e votimit”.

Votimi
Më tej, Ministria e Drejtësisë ka sqaruar se, në bazë të procedurave të nisura falë këmbënguljes së Ministrit Alibeaj, u konkludua në shkarkimin e tri gjyqtarëve.
“Në përputhje të plotë me këtë kuadër kushtetues dhe ligjor, Ministri i Drejtësisë ka kërkuar procedimin disiplinor të tre gjyqtarëve, ka parashtruar përgjatë mbledhjes faktet dhe provat e procedimit disiplinor, ka propozuar masën e shkarkimit nga detyra për secilin prej tre gjyqtarëve dhe ka dhënë argumentet ligjore për bazueshmërinë e kërkesave të tij”, sqaronte dje Ministria e Drejtësisë.
Nëpërmjet të njëjtit njoftim, sqarohej edhe baza ligjore, që përjashtonte Ministrin Alibeaj, nga procesi i votimit.
“Mosmarrja pjesë e Ministrit të Drejtësisë në momentin e votimit, jo vetëm që ka qenë në përmbushje të plotë të detyrimeve kushtetuese e ligjore, jo vetëm që ka qenë një standard i përmirësuar në drejtim të sigurimit të një procesi të rregullt ligjor, por gjithashtu nuk ka qenë risi e Ministrit të Drejtësisë sepse ky detyrim kushtetues dhe ligjor është respektuar prej tij edhe në raste të tjera (duke kujtuar këtu rastin e mbledhjes së KLD-së në Dibër për procedimin dhe shkarkimin e gjyqtares Mirela Mishgjoni, në votimin e të cilit Ministri i Drejtësisë gjithashtu nuk mori pjesë)”.

BAZA LIGJORE
Ligji Nr. 8811, date 17.05.2001, ndryshuar me Ligjin Nr. 9448, datë 05.12.2005, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 8811, datë 17.05.2001, “Për organizmin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
Neni 25
3. Ministri i Drejtësisë nuk merr pjesë në votim në rastet e procedimeve disiplinore të nisura prej tij...

Ligji nr. 9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”
Neni 34
Procedimi disiplinor i gjyqtarit
1. Të drejtën për nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e ka Ministri i Drejtësisë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›