Ministria e Drejtësisë kërkesë për ekstradimin e Durim Bamit nga Dubai

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Durim Bamit tek autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kërkesa e nënshkruar nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja është dërguar në rrugë shkresore dhe elektronike.
Ministria e Drejtësisë ka marrë njoftim nga Ministria e Jashtme se kërkesa dhe dosja për shtetasin Bami janë marrë në dorëzim nga pala arabe.
Durim Bami u arrestua në qershor të këtij viti në Dubai. Autoritetet shqiptare kishin mundur të gjurmonin lëvizjet e Bamit në Dubai dhe njoftuan kolegët e tyre për zonat ku mund të fshihej ai atje, çka solli dhe arrestimin e tij.
Ndaj Bamit Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me Burg”, ndërsa është nën hetim për disa akuza penale, si “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
/k.s/r.e/