Ministria e Drejtësisë, prezanton shërbimin e provës për të dënuarit
Eduard Halimi, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka prezantuar ditën e djeshme nëpërmjet një deklarate në rrjetin social facebook dy sistemet më të reja dixhitale në dikasterin që po lë. Ai ka zgjedhur faqen e tij në Facebook për të njoftuar përfundimin e dy prej sistemeve elektronike që sipas tij janë më të dobishme në menaxhimin e kartelave te të dënuarve që janë në burgje dhe atyre në shërbimin e provës. Sistemi elektronik E-GOV CRM SHP për Shërbimin e Provës dhe sistemi E-GOV CRM DPB për dosjet e të dënuarve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve,janë dy sistemet më modern të administrimit dixhital të arkivës dhe gjendjes aktuale të personave që vuajnë një dënim penal.
Deklarata
Kreu i Drejtësisë Halimi ka prezantuar si arritje tepër të vyera për drejtësinë shqiptare, dy sistemet e reja që do të fillojnë shumë shpejt zbatimin e tyre. Gjatë vizitave zyrtare të mia, në disa vende të BE-së kërkova të merrja modelet e sistemeve të tilla të cilat dhe në vendet më të zhvilluara ishin duke u ndërtuar, ndaj i nxitur nga ngjarja e para disa muajve ku një person kishte hyrë e dalë disa herë nga gjykata për vepra penale ndaj të miturve dhe se për të mungonin rekordet në Drejtorinë e Burgjeve, i kërkova vendosmërisht bashkëpunëtoreve të mi të merrnim masa të menjëhershme për të parandaluar raste të ngjashme ka deklaruar Halimi. Sipas tij këto dy arritje janë kryer pa asnjë shpenzim nga paratë e taksapaguesve, dhe ekspertët e IT, arritën të sjellin sy sisteme të cilat do të menaxhojnë në mënyrë elektronike të dhënat për të dënuarit, të dhënat personale, krimet për të cilat janë dënuar, gjendjen psikologjike, lidhjet me alkoolin apo drogat, prirjet negative, përpjekjet për rehabilitim, të dhënat për sociologët, psikologët, mjekët, kartelat mjekësore, të dhënat për policinë, të dhënat për gjykatën e prokurorinë.
Sistemet elektronike
Sistemet elektronike do të bëjnë që të menaxhohen më lehtë dhe në kohë reale të dhënat e të dënuarve, do të rrisin kontrollin mbi të gjitha lejet që jepen në burgje, mbi të gjitha raportet e sociologeve në shërbimin e provës në lidhje me rehabilitimin, do menaxhohen rastet e korrupsionit eventual, rastet e verifikimit të takimeve dhe kontrolleve në burgje, sqaron Halimi. Gjatë vitit të fundit aplikimi i shërbimit të provës në burgjet e vendit është përshëndetur si një arritje edhe nga disa OJF, që merren me trajtimin e personave që kanë prirje për të marrë lëndë narkotike e që ndodhen në qelitë e burgjeve. Sipas Halimit kjo ishte reforma e fundit që demokratët kishin premtuar të realizonim këtë vit në fushën e dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë.