E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Ekonomisë nuk gjen qetësi, 5 ministra në katër vjet

Ard Kola

Ndryshimet

I sapoemëruari Florion Mima nis sot punën me firmosjen e gazsjellësit TAP

Florian Mima,financa,ekonomi.    Foto / Malton DIBRA.Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), më saktë, administrata e saj, nuk gjen qetësi. Ende pa u mbyllur mandati 4-vjeçar qeverisës, dikasterin e kanë drejtuar katër ministra, ndërsa i pesti, i emëruar dje, nis sot punën. METE është menaxhuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), si pjesë e koalicionit qeverisës me PD-në dhe që të katërt ministrat i takojnë kësaj partie.

I pari ishte Dritan Prifti, që mori mandatin në shtator 2009, pas largimit të Genc Rulit. Prifti e mbajti detyrën e kreut të METE-s për rreth një vit, pasi u shkarkua nga partia e tij si rrjedhojë e konflikteve me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Ky i fundit merr postin e ministrit dhe angazhohet të çojë përpara reformat e nisura në sektorë të ndryshëm të energjisë, naftës, gazit, minierave etj. Duhet thënë se METE menaxhon kontrata me vlerë mbi 5 miliardë euro dhe konsiderohet sektor me shumë rëndësi në ekonomi. Meta nuk e mban gjatë postin, pasi në janar 2011 jep dorëheqjen për shkak të publikimit të videos mes tij dhe Priftit lidhur me konfliktin e projekteve në HEC-e.

Largimi i kreut të LSI-së nga METE i hap rrugë Nasip Naços, jurist me profesion dhe nënkryetar i Kuvendit, deputet i kësaj force politike dhe anëtar kryesie. Ndryshimet e kokave brenda harkut kohor prej një viti e gjysmë solli lëvizje të ndryshme në administratën e ministrisë, për rrjedhojë edhe të filozofisë së të punuarit. Naço qëndroi deri në korrik 2012 dhe zëvendësohet nga Edmond Haxhinasto, i cili deri në atë kohë mbante postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Ardhja e Haxhinastos solli një tjetër model pune, ndërsa stafet ndryshonin ashtu si ministrat.

Së fundmi, me largimin e LSI-së nga qeveria, Haxhinasto largohet dhe në vend të tij vendoset Florion Mima, tashmë nga kampi i demokratëve.

Nuk kanë kaluar më shumë se 24 orë nga mandatimi që bëri Presidenti i Republikës, dhe vjen marrëveshja e parë për ministrin e ri të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Florion Mima. I sapoemëruar nga Kryeministri, pas largimit nga koalicioni i LSI-së bashkë me ministrat, Mima do ta nisë punën sot paradite me nënshkrimin e marrëveshjes për gazsjellësin TAP me shoqërinë konsorcium TAP A.G (pronarët e tubacionit). Për palën shqiptare, marrëveshja do të firmoset nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, Florion Mima, dhe për palën e Konsorciumit TAP AG, nga drejtori i Përgjithshëm, Kjetill Tungland, njoftoi dje METE. Mima ka mbajtur postin e zv/ministrit të Financave për katër vjet rresht në mandatin e parë qeverisës të demokratëve 2005-2009 dhe njihet si ekspert i fushës së politikave fiskale.

Ard Kola

Ministria e Ekonomisë nuk gjen qetësi, 5 ministra në katër vjet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›