E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji i ndotur, bashkohen kanalizimet e ujërave të bardha me të zeza

Gazeta Shqip

Kombinati 

Për rreth një javë, banorët e zonës së Kombinatit janë të shqetësuar për shkak të ujit që rrjedh në tubacionet e tyre.

Çdo ditë, në mëngjes, në drekë dhe në darkë në shtëpitë e banorëve, uji mbërrin i ndotur, me ngjyrë të fortë, me erë të pakëndshme, thuajse i papërdorshëm jo vetëm për tu konsumuar por edhe për të pastruar e për tu larë.

Banorët prej disa ditësh nuk e konsumojnë ujin e pijshëm ndërkohë që ata dyshojnë se problem është rrjeti i amortizuar dhe bashkimi i kanalizimeve të ujërave të bardha me ato të zeza, problem i mbartur prej shumë vitesh.

Në zonë nuk është parë asnjë rehabilitim rruge, asnjë investim për sa u takon rrjeteve të telefonisë, internetit apo ndërhyrje në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. Nisur nga ky problem emergjent, banorët e zonës kanë depozituar në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve disa ankesa, por deri tani askush nuk ka mbërritur të bëjë ekspertizën apo të gjejë se cili është problemi.

Edhe Drejtoria e Higjienës, ekspertët që bëjnë monitorimin e ujit por edhe punonjësit e ujësjellës-kanalizimeve që bëjnë kontrollin në disa pika çdo ditë, kanë vërejtur ndotje bakteriologjike disa herë mbi normat e lejuara në zonën e Kombinatit.

 

Uji i ndotur, bashkohen kanalizimet e ujërave të bardha me të zeza burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›