Ministria e Financave shkurton buxhetin, 11 miliardë lekë më pak
Zvarritjet e procesit të privatizimit të kompanisë Albpetrol dhe 4 hidrocentraleve duket se ka vënë në vështirësi edhe Ministrinë e Financave, e cila përballë moseralizimit të të ardhurave dhe rrezikut të borxhit publik, është e detyruar të bëjë shkurtime në buxhet.
Buxheti
Kështu në pritje të përmbylljes së procesit të privatizimeve, Qeveria ka hartuar një variant alternativ të buxhetit për vitin 2012, i cili diktohet nga nevoja për të mbajtur nën kontroll borxhin publik. Sipas draftit të ri, të publikuar nga Ministria e Financave, shpenzimet e buxhetit shkurtohen me 11.7 miliardë lekë ose 117 milionë dollarë krahasuar me planin e fillim vitit dhe pjesa më e madhe e tyre prekin direkt investimet publike.
Investimet
Sipas variantit të shkurtuar, investimet publike ulen me 6.7 miliardë lekë, krahasuar me planin fillestar duke zbritur në 63.1 miliardë lekë. Në vlerë, kjo është shifra më e ulët e investimeve publike që nga viti 2007, ndërsa si raport ndaj Prodhimit Kombëtar ajo cek nivelin më të ulët të 7 viteve të fundit duke zbritur në 4.6 për qind.
Të ardhurat
Ndërhyrja në buxhet dhe shkurtimi i shpenzimeve diktohet nga mosrealizimi i të ardhurave, për sa kohë rezultati i procesit të privatizimeve mbetet ende i paqartë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, këtë vit të ardhurat totale në buxhet pritet të jenë rreth 344 miliardë lekë ose 11.7 miliardë lekë më të ulëta nga ato që ishin parashikuar në buxhetin e fillim vitit.
Rreziku i borxhit
Kjo situatë ka imponuar shkurtimin me po të njëjtën mase të shpenzimeve publike, për të mos lejuar rritjen e deficitit buxhetor përtej kufirit ligjor që ka vendosur kuvendi, çka do të rrezikonte tavanin ligjor të borxhit. Varianti i rishikuar i buxhetit bazohet mbi pritshmëritë e Ministrisë së Financave për këtë vit. Ai ende nuk ka formë zyrtare, pasi për këtë duhet që më parë të marrë miratimin në Parlament.