E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinis kompensimi per tokat e prekura nga ndertimet informale

Rifillon procesi i pranimit të kërkesave për shpërndarjen e këstit të parë, të dytë dhe të tretë për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), bën të ditur çeljen e këtij të rëndësishëm për pronarët e ligjshëm të tokave. Kështu, Drejtori i ri i Përgjithshëm i AKKP-së, Avenir Peka, vendosi që procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond, do të fillojë të hënën e ardhshme, më datë 17.09.2012 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar apo limituar në afat. “Me këtë rast, AKKP fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 514, datë 01.08.2012 të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim”, - njofton Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ky institucion ka ngritur grupin e punës, i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Të gjitha subjektet e interesuara do të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të pronave. Të dhënat e subjekteve përfitues janë të evidentuara në listat sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi për këtë kategori pronarësh.. Për kryerjen e kësaj procedure, aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2000 lekësh dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë.
Nga ana tjetër, AKKP bën publike edhe dokumentacionin që pronarët e ligjshëm të tokave duhet të depozitojnë për të përfituar kompensimin. Sipas njoftimit , për të kërkuar dhe përfituar kompensimin, pronarët duhet të plotësojnë kërkesën tip të AKKP-së, duhet të dorëzojnë dëshminë e trashëgimisë si dhe duhet të dorëzojnë prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›