Ministria e Integrimit konkurs për gjimnazistët mbi njohuritë e tyre në këtë sektor
Në kuadër të Strategjisë së Komunikimit me Publikun dhe në zbatim të Protokollit të Bashkëpunimit në Procesin e Integrimit Evropian ndërmjet Ministrisë së Integrimit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Integrimit ka nisur, konkursin « Unë dhe Evropa », me pjesëmarrjen e 24 shkollave të mesme nga i gjithë vendi. Ky konkurs do të përfundojë në muajin maj, gjatë Javës Evropiane. E pranishme ne këtë aktivitet, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, pasi i përshëndeti nxënësit e pranishëm në sallën e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, “Pjetër Arbnori”, ku do të zhvillohen fazat e para të këtij konkursi, prezantoi idenë dhe qëllimin që mbart konkursi "Unë dhe Evropa". Ministrja Bregu theksoi se "ky aktivitet pritet të sjellë rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve, të cilët do të jenë qytetarët e ardhshëm të Evropës, për rëndësinë që ka procesi i integrimit të Shqipërisë në BE për të ardhmen e tyre, veçanërisht në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë, shanset e jetës dhe vlerat e përbashkëta evropiane". Gjithashtu, ky konkurs do të rrisë nivelin e informacionit të të rinjve për vlerat, historinë dhe proceset e BE-së, me perspektivën që në të ardhmen e afërt të futen më shumë orë për integrimin evropian dhe BE-në në kurrikulat e shkollave. Në fund të fjalës së saj përshëndetëse, ministrja Bregu zbuloi përpara përfaqësueve të shkollave pjesëmarrëse dhe surprizën e këtij konkursi. “Çdo garë ka gjithmonë një fitues. Për skuadrën që do të shpallet fituese e konkursit 'Unë dhe Evropa' është menduar të organizohet një vizitë njëjavore në institucionet e BE-së në Bruksel”, tha ministrja Bregu. Konkursi është titulluar “Unë dhe Evropa” për të nënvizuar edhe një herë tjetër që procesi i integrimit evropian nuk mund të jetë i suksesshëm në rast se zhvillohet vetëm ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Komisionit Evropian dhe për më tepër, nëse trajtohet vetëm si proces teknik. Në këtë proces duhet të përfshihet e gjithë shoqëria shqiptare dhe, secili prej nesh duhet të japë kontributin e vet përballë trashëgimisë së pasur të vlerave evropiane. Me këtë synim, Ministria e Integrimit ka botuar dhe shpërndarë librin “15 pyetje për Bashkimin Evropian”, botim i cili do të shërbejë si tekst bazë për zhvillimin e disa orëve mësimore për integrimin evropian në programin e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të vendit, me perspektivën që vitin e ardhshëm shkollor të zhvillohet një lëndë e posaçme për integrimin evropian. Një tjetër iniciativë e ndërmarrë nga Ministria e Integrimit, në kuadër të Strategjisë së Komunikimit është dhe krijimi i kontakteve të drejtpërdreja me auditorët e universiteteve dhe fakulteteve të Tiranës e qyteteve të tjera të Shqipërisë. Gjithashtu, së shpejti do të nisë në Televizionin Publik Shqiptar transmetimi përmes një emisioni të plotë tetë javor i një cikli dokumentarësh mbi historinë e Evropës. Ndërkaq, një tjetër konkurs do të përfshijë nxënësit e shkollave 9- vjeçare, për të konceptuar, sipas fantazisë së tyre, idenë e tyre mbi Evropën.