SHBA njeh suksesin e qeverisë në luftën kundër trafiqeve, apelon për forcimin e masave antikorrupsion
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson në raportin e përvitshëm për drogën dhe pastrimin e parave, se Shqipëria ka bërë përmirësim në luftën kundër narkotikëve dhe krimit financial, megjithatë vë në dukje se përpjekjet e saj pengohen deri diku nga korrupsioni, mangësitë profesionale në strukturat e rendit, sistemi i pareformuar gjyqësor, si edhe ekonomia informale. “Dëshira e Shqipërisë për të hyrë në BE dhe NATO vazhdon të përbëjë shtysë për qeverinë për të zbatuar reforma, por natyra e përçarë e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile e kanë penguar përparimin.Shqipëria”- thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, shërben si një vend tranzit për trafikun e heroinës nga vendet e Azisë Qendrore në Evropën perëndimore. Kështu vlerësohet fakti që në vitin e kaluar, kapja e heroinës kishte pësuar një rënie, në një kohë që kapja e drogave të tjera mbeti ende e lartë. Qeveria e Shqipërisë, thuhet në raport, në përgjigje të trysnisë dhe me ndihmë ndërkombëtare, po i lufton më me agresivitet elementët kriminalë, por puna e saj vazhdon të pengohet nga mungesa e burimeve dhe përhapja e madhe e korrupsionit.Portet, kufijtë jo shumë të ruajtura tokësore, së bashku me një polici dhe dogana të financuara e menaxhuar keq dhe me mangësi në paisje, e bëjnë Shqipërinë një vend të lakmueshëm tranzit për trafikantët që transportojnë droga në Evropën Perëndimore. Qeveria, thuhet në raport, ka ndërmarrë disa hapa kundër korrupsionit: si miratimi i ligjit për Parandalimin e Konflikteve të Interesave dhe nxjerrja e një afati kohor për zbatimin e tij. Po ashtu vëzhdimi nga ana e shoqërisë civile i ka rritur shpresat se korrupsioni do të bjerë. Qeveria nxorri jashtë ligjit qarkullimin e gomoneve dhe disa llojeve të tjera mjetesh lundruese në të gjitha ujrat territoriale për një periudhë prej tre vjetësh, gjë që duket se e ka pakësuar lëvizjen e drogave përmes mjeteve të vogla të lundrimit veçanërisht në Itali. Shqipëria punon me fqinjët në marrëdhënie dypalëshe dhe nisma rajonale për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet. Sipas raportit, policia shqiptare vazhdoi të shënojë përparim në operacionet kundër narkotikëve. Sasia e drogës së kapur si nga Italia, ashtu edhe Greqia ka rënë çka do to thotë se Shqipëria ka pasur sukses në përpjekjet e saj. Bashkëpunimi ndërkombëtar u rrit, përfshirë operacione të përbashkëtar me autoritetet italiane, maqedonase, greke dhe turke. Në raport thuhet se korrupsioni mbetet një problem me rrënjë të thella në Shqipëri. Pagat e ulëta, rryshfetet dhe rrjetet e lidhje të ngushta sociale në Shqipëri e vështirësojnë luftën ndaj korrupsionit në polici, gjykata dhe dogana. Në kuadër të përpjekjeve anti-korrupsion, Shqipëria ratifikoi Konventën e OKB-së kundër korrupsionit. Në vitin 2007 policia dhe gjyqësori u bënë më aktive në hetimin e zyrtarëve të qeverisë dhe personelit të rendit për korrupsion. Në raport përmenden shifrat e dhëna nga Prokuroria e Përgjithshme në bazë të së cilave nga rritja 13 për qind e rasteve që arritën të paraqiten në gjykata, shumica kishte të bënte me korrupsionin, veprimtaritë e paligjshme të zyrtarëve të qeverisë dhe trafikimin.
Grupet e krimit të organzuar, thekson më tej raporti, vazhdojnë ta përdorin Shqipërinë si pikë tranziti për drogat dhe kontrabanda të tjera, për shkak të pozitës strategjike gjeografike të vendit, dobësisë së shtetit ligjor dhe sistemit të pareformuar gjyqësor, si edhe kufijve lehtësisht të depërtueshëm. Qeveria e Shqipërisë vazhdon të mirëpresë ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës Perëndimore. Shtetet e Bashkuara po i intensifikojnë aktivitetet në fushat e rendit dhe reformës ligjore. Shqipëria e ka bërë përparësi luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut dhe policia po e rrit rolin në operacionet kundër narkotikëve. Dëshira e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe NATO vazhdon të përbëjë shtysë për qeverinë për të zbatuar reforma, por natyra e përçarë e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile e kanë penguar përparimin. Shtetet e Bashkuara së bashku me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë për të bërë përaparim në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, për të përdorur me efektivitet të ndihmës për strukurat e rendit dhe për të mbështetur reformën ligjore. Si vend tranzit për trafikimin e narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe qenieve njerëzore, Shqipëria përballet me rrezikun e lartë të pastrimit të parave. Në kapitullin për pastrimin e parave, raporti thekson se Shqipëeria nuk ështe qendër e rëndësishme financiare rajonale. Sipas Bankës së Shqipërisë, 25 për qind e parave në qarkullim janë jashtë sistemit bankar, krahasuar me 10 për qind në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave nga imigrantët hyjnë në vend përmes kanaleve jozyrtare. Këmbimet në tregun e zi janë ende të pranishme me gjithë përpjekjet e qeverisë. Sipas shifrave të qeverisë, të ardhuarat nga tregu informal përbëjnë 30-60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithëse ka pasur nisma të vazhdueshme për të përmirësuar aftësinë e Shqipërisë për të luftuar krimet financiare dhe pastrimin e parave, mungesa e rezultateve pozitive dhe paaftësia për t’u bërë ballë siç duhet mangësive në programe, vazhdojnë të pengojnë përparimin.