Ministria e Jashtme: Gruaja e Pezës nuk është pushuar nga puna, vazhdon sërish
Ministria e Jashtme ka reaguar pas deklaratës së kandidatit të Partisë Socialiste në Peqin, Alfred Peza, se e shoqja e tij është pushuar nga puna kur ai shpalli kandidimin.
Sipas MPJ, e shoqja e Pezës vazhdon të punojë në Ministri të Jashtme si përgjegjëse sektori.
Për transparencë dhe mirëinformim të opinionit publik, sqarojmë se znj. Peza vazhdon të punojë në Ministrinë e Jashtme si shefe e sektorit të Komunikimit në Drejtorinë e Diplomacisë Publike, dhe nuk është e vërtetë që është larguar nga detyra.
Sqarojmë se zonja Peza ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë së Shtypit dhe Informacionit deri në datën 07.06.2012. Në bazë të miratimit të strukturës dhe organikës së re të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kjo drejtori u kthye në sektor dhe zonja Peza u emërua shefe e këtij sektori. Me urdhër të ish ministrit Haxhinasto numër 190, dt 07.06.2012, zonja Peza u emërua përgjegjëse e sektorit të Komunikimit në Drejtorinë e Diplomacisë Publike, ku vazhdon dhe sot.
Sqarojmë se kjo lëvizje në detyrë një vit më parë, në kohën kur gjithë Ministria e Jashtme u ristrukturua, nuk ka aspak lidhje me kandidimin e zotit Peza, thuhet në deklaratën e MPJ./ep