E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhguesit vendorë: Të zgjidhet çështja e KQZ-së, procesi zgjedhor është në pikëpyetje

votim-plaka160Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi një deklaratë ku përgëzon forcat politike për nismën për të votuar sot në parlament tre ligjet e shumëpërfolura.

Por KVV u ka bërë thirrje forcave politike që të gjejnë zgjidhje për ngërçin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke siguruar administrimin e mëtejshëm të procesit me një anëtarësi të plotë të KQZ-së.

Në kushtet kur KQZ funksionon e paplotë, kur Kolegji Zgjedhor është akuzuar nga forcat opozitare për qëndrim të njëanshëm dhe kur Gjykata Kushtetuese në një vendim të marrë pak ditë më parë i heq të drejtën vetes për të shqyrtuar ankimime lidhur me zgjedhjet, besimi i qytetarëve në forcën dhe zbatimin e ligjit si dhe në vetë procesin zgjedhor vihet seriozisht në pikëpyetje.

Në përfundim, KVV i bën thirrje forcave politike parlamentare e në veçanti dy forcave kryesore, që pavarësisht vendimit dhe mangësisë që krijon në sistemin ligjor, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të rrisin besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe institucionet përkatëse të administrimit të procesit duke zgjidhur dhe plotësuar anëtarësinë e KQZ-së si dhe duke u angazhuar për një vullnet të qartë për një mirëadministrim të procesit zgjedhor, zbatimin me korrektësi të ligjit dhe pranimin e rezultatit final, thuhet në deklaratën e vëzhguesve vendorë./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›