Ministria e Jashtme, një gjysëm reagimi ndaj Greqisë. I jep llogari për ngjarjet e Përmetit
Ministria e Jashtme shqiptare ka bërë një gjysëm reagimi ndaj deklaratave të qeverisë greke për ngjarjet në Përmet.
Në fakt, ka qenë një sqarim që ka bërë zëvendësambasadorja shqiptare në Greqi, pas protestës së palës greke. Ndryshe nga Greqia që kërkon sqarime për ngjarjet e ndodhur në një territor shqiptar, ministria ndërkohë nuk ka kërkuar llogari ndaj Greqisë, për ndërhyrje në çështje të brendshme. Ministria e Jashtmë është mjaftuar vetëm me dhënie llogari dhe sqarime ndaj palës greke.
Në mbrëmjen e datës 19 gusht, u thirr në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke zëvendës ambasadorja shqiptare në Athinë, znj Ermira Braho.
Gjatë takimit pala greke paraqiti shqetësimin lidhur me dy incidente në Përmet, si dhe goditjen me gurë të Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Gjirokastër.
Në vijim, diplomatja shqiptare në Athinë, ka sqaruar se te dhënat zyrtare flasin për situata të ndryshme.
Sipas informacioneve zyrtare, në datën 19.08.2013, disa besimtarë ortodoks janë afruar tek godina e shtëpisë se kulturës në Përmet duke çarë rrethimin e forcave të policisë private, dhe pasi kanë hequr materialet rrethuese janë futur brenda në këtë objekt. Më tej, dy besimtarë ortodoks janë paraqitur të plagosur në Spitalin Civil të Përmetit. Autoritetet përkatëse shqiptare kanë marrë në pyetje shtetasit në fjalë, për të sqaruar rrethanat e plagosjes së tyre, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të shpjegojë asnjë rrethanë hetimi.
Lidhur me sulmin me gurë të pretenduar, rezulton se në oborrin e Konsullatës ka rënë një gur i përmasave relativisht të vogla, që sipas hetimeve paraprake, mendohet se ka rënë si pasojë e fërkimit me gomën e ndonjë makine, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme.
Në fund, ministria e drejtuar nga Aldo Bumçi ka kërkuar vetëpërmbajtje nga ana e palës greke.
Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare kërkoi që ngjarjet të analizohen sipas fakteve me gjakftohtësi dhe vetëpërmbajtje dhe në kontekstin në të cilin ato ndodhin, përfundon deklarata./b.l