Ministria e Kulturës: Sjapim me qera, as shesim monumente. PS-ja shpif
Tiranë- Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka reaguar mbi raportet për dhënie me qera apo shitje të monumenteve të kulturës në vendin tonë.
Në një deklaratë zyrtare MTKRS-ja thotë se është institucioni përgjegjës për administrimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të kulturës sonë kombëtare.
Në këtë kuadër, si dhe në funksion të zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave Për përcaktimin e kritereve, procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteoze dhe kontrata të tjera të pasurisë shtetërore, MTKRS ka përgatitur një dokument udhëzues lidhur me procedurat teknike për dhënien me qera të Monumenteve të Kulturës. Ky dokument përcakton në mënyre të qartë të gjitha procedurat që duhet të ndiqen, duke specifikuar se:
- Projektet e rijetëzimit hartohen nga institucionet përgjegjëse për adminstrimin e trashëgimisë, dhe miratohen nga KKR, i cili është një organ kolegjial që përbëhet nga specialistë të fushës së monumenteve të kulturës edhe jashtë institucioneve shtetërore.
- Dhënia me qera kryhet nëpërmjet një procesi të detajuar konkurrimi midis subjekteve të interesuara, ku fokusi vendoset në mbrojtjen dhe administimin e monumentit.
Në asnjë rast, në udhëzimin e miratuar nga MTKRS, nuk flitet për dhënie me koncesion, shitje apo privatizim të monumenteve të kulturës. Cdo shprehje e tillë është tendencioze dhe me qëllim dezinformimin e publikut për qëllime të pastra apo të papastra elektorale.
MTKRS-ja thekson edhe një herë, që çdo iniciative e tillë rijetëzimi nuk mund të jetë dhe nuk do të jetë një veprim i njëanshëm i Institucionit, por shqyrtohet dhe vlerësohet nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit të monumenteve, duke garantuar në këtë mënyrë mbrojtjen dhe promovimin e çdo objekti të trashëgimisë sonë kulturore,-thuhet në njoftimin për mediat.
Ajo thekson se duke marrë shkas nga reagimi që ka krijuar kjo çështje në publik si dhe për të hequr çdo lloj mendimi se e gjithë kjo po kryhet në mënyrë të qëllimtë para zgjedhjeve elektorale, MTKRS shpreh gatishmërinë që të procedojë me këtë iniciativë, vetëm pas një diskutimi të gjerë me të gjithë aktorët e interesuar dhe specialistët e fushës së trashëgimisë.
Pak ditë më parë Partia Socialiste akuzoi qeverinë se po shet ose jep me qera monumentet e kulturës për qëllime elektorale dhe i bëri thirrje bizneseve që të mos i marrin sepse me të ardhur në pushtet socialistët do të shfuqizojnë çdo marrëveshje të tillë.