Ministria e Mbrojtjes çel garën për kursin e Oficerit të Forcës Detare

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se janë hapur aplikimet për një kandidat për të ndjekur “Kursin fillestar të Oficerit të Forcës Detare”, i cili do të zhvillohet në periudhën 8 shtator 2025-14 gusht 2026, në Kolegjin Mbretëror të Forcave Detare në Dartmouth, në Britaninë e Madhe.
Sipas njoftimit zyrtar në rrjetet sociale të MM, kandidimi është i hapur për rekrutë, ushtarë dhe nënoficerë që kanë përfunduar studimet “bachelor”, brenda ose jashtë vendit.
“Qëllimi i këtij kursi është përgatitja e oficerit të ri për t’u bërë specialistë të mirë stërvitjeje. Përfundimi i kursit fillestar sipas standardeve të parashikuara do të mundësojë rritjen e kapaciteteve vlerësuese të mjedisit detar sikurse dhe nxitjen, frymëzimin dhe mësimin e gjeneratës së re me mënyrat për të vepruar dhe kundërvepruar si një oficer detarie i vijës së parë”, thuhet në njoftim.
Afati kohor për dorëzimin e dokumentacionit pranë Qendrës së Personel Rekrutimit është deri në 17 shkurt 2025, ndërsa mosha e pjesëmarrësve duhet të jetë minimumi 18 vjeç dhe jo më shumë se 25 vjeç në momentin e titullimit.
/a.f/