E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mjedisit, marrëveshje me Sida dhe SNV për zhvillimin e pyjeve

Tiranë, 16 shtator, NOA Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Agjensinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida)  dhe Organizatën Hollandeze për Zhvillim (SNV), për mbështetjen e zhvillimit të sektorit pyjor në Shqipëri të titulluar fuqizimi i qëndrueshëm i pyjeve komunalë II në Shqipëri për vitet 2010-2013.

Ky program i bashkëfinancuar nga këto dy organizma ndërkombëtarë, që nis nga kalimi i pronësise së pyjeve dhe kullotave komunale pranë pushtetit vendor, do të fokusohet  në  fuqizimin e kapaciteteve për komunat e përzgjedhura, në mënyrë që ato të përmbushin rolin e tyre të ri në menaxhimin dhe administrimin e sipërfaqeve  të transferuara.

Programi parashikon të punojë me grupe lokale, përdoruesit e pyjeve dhe kullotave dhe organizatat e tyre, po ashtu edhe me Shërbimin Pyjor të rretheve, për të promovuar mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të këtyre sipërfaqeve të rëndësishme pyjore dhe të kullotave.

Kjo gjë, sipas ministrisë së Mjedisit do të bëjë të mundur që banorët vendas, të cilët mbështeten nga pyjet dhe kullotat për të siguruar jetesën dhe mirëqënien e tyre  të thonë fjalën e tyre  dhe të përfitojnë direkt nga masat e reja të ndërmarra.

Programi po ashtu do të jetë vazhdim i punës aktuale të Ministrisë  përmes Projektit të Zhvillimit të burimeve natyrore, i zbatuar  nga  Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave. Ministria thekson se këto nisma mbështesin zbatimin e Strategjisë për Zhvillimin e sektorit Pyjor dhe kullotave në Shqipëri , 2003, e cila përbën një sipërfaqe prej 50 % të territorit të vendit.

Kjo strategji ka për qëllim  të sigurojë rigjenerimin dhe mbrojtjen  e sipërfaqeve pyjore dhe kullotave e njëkohësisht të kontribuojë në uljen e varfërisë në komunitetet rurale.

mit/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›