E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Punëve të Pista

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media, ku në shënjestër ka pasur ministrinë të cilën e drejton Bajram Rexhepi. Ministria e Punëve të Brendshme në një shtet ka rol të ndjeshëm, të veçantë dhe shumë të rëndësishëm për sigurinë dhe konsolidimin e shtetit.

“Kjo bëhet edhe më tepër e rëndësishme në Kosovë, kur e dimë që ka struktura kriminale e ilegale në gjithë vendin, kur dihet se në Kosovë po lulëzon korrupsioni dhe krimi i organizuar, kur dihet se Kosova po mundohet që të konsolidohet si shtet. Pra, në krahasim me ministritë e tjera, në aspektet që u përmenden më lartë, Ministria e Punëve të Brendshme është ministri shumë më e rëndësishme se sa shumë ministri të tjera sepse shërben edhe për të hetuar dhe mbikëqyrur ministritë e tjera si dhe organizatat kriminele që veprojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media të kësaj Lëvizje.

Zyrtarët e Vetëvendosjes thonë se, në Kosovë, nuk ka pas asnjë ministri që ka pas më shumë skandale se sa Ministria e Punëve të Brendshme. Për t’ju rikujtuar:

1. Rreth 1 milion euro keqpërdorime në tenderin për municion dhe armatim për Ministrinë dhe policinë. Kjo solli deri tek arrestimi i disa personave. Pasi u zbulua skandali, Ministri Rexhepi tha se ishin ata të cilët e nisën hetimin, natyrisht vetëm pasi u zbulua nga media.

2. Në Policinë e Kosovës vjedhjet dhoma e dëshmive, ku vidhen më shumë se 50 kg heroinë, dhe euro në valutë, përfshi këtu edhe një numër dosjesh të ndjeshme. Kjo është vjedhja më e rëndë që është bërë në Kosovë, dhe bëhet në ndërtesën e policisë dhe sot e asaj dite nuk zbulohen kryesit e veprës.

3. Tenderin për furnizim me targa për automjete Ministria e Punëve të Brendshme ia jep kompanisë që kishte ofertën 300 mijë euro më të lartë se sa ofertuesi i dytë. Tre vite më parë kontrata ju ishte dhënë ofertuesit që e kishte ofertën për 700 mijë euro më të lartë.

4. Skandali i fundit ku janë arrestuar tre persona tregojnë për marrëveshjen e kompanisë austriake me qeverinë e Kosovës për të fituar kontratën me ryshfet. Kjo u zbulua vetëm pas raportimit të mediave se njëri nga këstet i është paguar përfaqësuesit të kompanisë në Prishtinë e cila pastaj ka transferuar këto mjete tek zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kompanitë e tjera tenderuese që atëherë ishin ankuar për parregullsi të mëdha në tender të cilat janë dokumentuar edhe në raportin e auditimit.

5. Raporti i auditimit dokumenton shkelje pothuajse në çdo tender të vitit 2011, përfshi këtu tenderin për pasaporta, për punimet në qendrën e regjistrimit civil, kontrata për furnizim me ushqim e pije etj. etj.

Pra, Ministria që ka përgjegjësitë më të ndjeshme në shtetin tonë, për ta luftuar krimin, për t’i kontrolluar armët, për dokumente identifikimi, është edhe ministria që ka më së shumti skandale në krahasim me buxhetin dhe përgjegjësitë që ka.

Në njërën anë kontrollon hetimet që bëhen në shtetin tonë, në anën tjetër përdor policinë për qëllimet e veta politike. Këtu po i përmendim vetëm disa:

1. Hetimet e përgjimet e vazhdueshme të kundërshtarëve politikë

2. Përdorimi i dhunës kundër protestuesve, dhe kërcënimet se vetë ministri do ta bënte edhe më zi

3. Largimi për një minutë i deputetëve nga oborri i qeverisë në një republikë parlamentare

Nga një ministri e tillë nuk mund të presim se do të na largojnë kriminelët, dhe se do ta luftojnë korrupsionin. Nga kjo ministri nuk mund të presin ta shtrijë sovranitetin në veri, e edhe më pak ti sigurojnë qytetarët e Republikës së Kosovës në veri. Sa për fund, duhet t’i përmendim dhe deklaratat skandaloze të ministrit Rexhepi për vrasjen e Selver Haradinaj.

Disa ditë pas shpërthimit kishte deklaruar se sulmi ishte kryer nga profesionistë, dhe disa muaj më pas del dhe thotë se nuk kishte pas sulm dhe se Selver Haradinaj ishte vrarë nga eksplozivi i vet.

Pas gjitha skandaleve dhe deklaratave, nuk mund që ministri të shfajësohet duke thënë se nuk e ka ditur se ka keqpërdorime në tenderë dhe se ai e ka nisur hetimin. Sot, me këtë qeveri është vështirë të besohet se ministri nuk e din se cili tender po i shkon cilës kompani dhe me çfarë tarife, sepse sot njerëzit përjashtohen edhe nga puna në qoftë se flasin kundër kësaj qeverie e lere më të mos dihen se kujt do ti shkojnë 1.4 milion Euro.

Pas gjitha skandaleve e deklaratave, nuk mund që kryeministri të shfajësohet duke thënë se nuk e ka ditur se ka keqpërdorime në njërën prej ministrive që qeverisë që ai drejton. Së paku jo, kur asnjëherë nuk e ka bërë as distancimin më të vogël nga kjo ministri. Kërkesa jonë për dorëheqjen e qeverisë përsëritet, por kësaj radhe kjo dorëheqje nuk përfshin edhe ministrin e punëve të brendshme. Ai duhet të shkarkohet, hetohet dhe ndiqet penalisht për të bëmat e ministrisë. E ministria duhet të bëjë shumë për tu pastruar nga kjo histori e tmerrshme e korrupsionit, keqpërdorimeve e përdorimeve politike.

Ftojmë edhe Komisioni Evropian, dhe miqtë tonë ndërkombëtare të deklarohen rreth skandaleve të fundit në Ministri, duke ditur përkushtimin e tyre për ndërtimin e suksesshëm të shtetit të Kosovës, dhe mos-hezitimin që të deklarohen se çka është mirë e çka është keq për shtetin tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›