E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Shëndetësisë : Shqipëria nuk rrezikohet nga virusi i Nilit Perëndimor



Pëllumb Pipero, drejtori i Politikave Shëndetësore në ministrinë e Shëndetësisë, njëkohësisht dhe mjek infeksionit është shprehur dje se në vendin tonë nuk ka vend për panik sepse Shqipërisë nuk i kanoset asnjë rrezik nga Virusi i Nilit Perëndimor. Sipas Piperos ky virus transmetohet vetëm nga pickimi i mushkonjave të infektuara dhe jo nga qëndrimi me njerëzit e prekur nga virusi. Për këtë arsye edhe pse Greqia është shumë afër me ne dhe se, kohët e fundit fluksi i emigrantëve që kthehet në atdhe është i lartë rreziku nuk ekziston.
Virusi
Disa ditë më parë Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të Sëmundjeve në Greqi ka konfirmuar në prefekturën e Selanikut dhe zonat përreth, dy raste me encefalit, që janë shkaktuar nga virusi i Nilit Përëndimor. Kjo gjë ka shkaktuar panik në organet shëndetësore në Greqi, të cilët kanë marrë masa të menjëhershme. Ky virus trasmetohet nga një vend në tjetrin nga zogjtë ndërsa njerzit preken nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Virusi në Greqi u shfaq për herë të parë, ndërsa në disa vënde të tjera të BE-së dhe në SHBA është konfirmuar që në vitin 1996. Pas konstatimit të 2 personave të prekur nga virusi i Nilit Perëndimor në Greqi, nëpërmjet drejtorit të Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero reagoi edhe ministria jonë e Shëndetësisë. Pipero deklaroi se rreziku që ky virus të prekë Shqipërinë është i lartë dhe se ministria e Shëndetësisë po merr masa duke ngritur një Task-Forcë për të monitoruar situatën. Edhe dje Pipero tha se ministria e Shëndetësisë ka dhënë udhëzime për të gjitha qendrat shëndetësore, sidomos ato që ndodhen shumë afër me zonat kufitare që të mos neglizhojnë asnjë rast por të kryejnë kontrolle të detajuara, edhe në qoftë se pacientët paraqiten me simptomat e një gripi të zakonshëm apo të virozëve të stinës.

Greqi
Tre persona kanë humbur jetën në Greqi për shkak të Virusit të Nilit. Mediat greke raportojnë se analizat laboratorike të tre personave që kanë humbur jetën në Greqi konfirmuan se ata ishin të prekur nga virusi i Nilit Perëndimor dhe se ky ishte edhe shkaku që ata vdiqën. Institucionet greke të shëndetësisë pas përhapjes së lajmit u bënë thirrje banorëve të ruajnë qetësinë. Sipas tyre situata është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik. Ata shprehen se ky virus përhapet vetëm me pickimet e mushkonjave dhe se vetëm 1% e atyre që infektohen, kryesisht grupmoshat mbi 60 vjec, mund të shfaqin probleme serioze shëndetësore si meningjiti apo encefalit. Javën e kaluar kanë vdekur dy gra rreth të shtatëdhjetave, të cilat u prekën nga melingiti dhe encefaliti (sëmundje që shkaktohen nga virusi i Nilit Perëndimor), ndërsa 2 ditë më parë humbi jetën një burrë, 79 vjec, i cili vuante edhe nga disa sëmudje kronike. Cdo ditë po konfirmohen raste të reja të prekurish nga ky virus, kjo ka berë që masat kundër tij të shtohen dhe të jenë më drastike. Deri tani në Spitalin Infektiv të Selanikut po marrin ndihmë mjekësore 14 persona të cilët vijnë nga qytetet fqinje si: Janitsa, Veria dhe Kilikizi. Pikërisht, përhapja e kësaj sëmundje në disa qytete fqinje përbën një shqetësim të madh për autoritetet greke të shëndetësisë pasi virusi po përhapet nga një zonë në tjetrën me anë të zogjve apo mushkojnave infektuese.

Zonat e Liqenit Artificial në Tiranë pushtohet nga plehrat, banorët të frikësuar nga shfaqja e epidemive

Kodrat e Liqenit Artificial këtu në Tiranë frekuentohen shumë gjatë gjithë javës. Aty që në orët e para të mëngjesit dalin për vrap ose ushtrime të tjera fizike të gjitha grupmoshat ndërkohë që mbasdite këto kodra shfrytëzohen për piknik ose momente relaksimi, larg zhurmës dhe smogut të Tiranës. Por edhe atje ata ndeshen me shumë plehra të hedhura me papërgjegjshmëri, vend e pa vend që shkaktojnë erë të rëndë dhe grumbullimin e shumë insekteve. Plehrat janë mbetje urbane që vizitorët kanë konsumuar ditë më përpara por edhe mbetje inerte. Banorët e zonave përreth akuzojnë firmat e ndërtimit që pas hapjes së gropave për ndërtimin e pallateve i lënë inertet e nxjerra nga këto gropa në vend. Kjo panoramë të shoqëron në një pjesë të madhe të asaj zone. Edhe pranë kopshtit Zoologjik e atij Botanik kemi të njëjtën situatë. Grumbujve të inerteve u ishin shtuar qeset plastike me mbetje urbane. Mushkonjat dhe era e keqe e bënin vërtet të pakalueshme rrugë që ndodhet shumë afër ambienteve të banimit. Shumë banorë të alarmuar tregojnë se e kanë të pamundur të hapin dyert dhe dritaret sepse ambientet e shtëpisë mbushen me mushkonja dhe erën e rëndë të asaj zone. Banorët tregojnë që janë shumë të shqetësuar për fëmijët e tyre që kalojnë një pjesë të madhe të kohës jashtë ambienteve të banesës për të luajtur. Pikërisht këta të fundit janë të ekspozuar në këto ambiente dhe rrezikojnë më shumë për t’u infektuar. Në këto ditë të nxehta mundësitë për epidemi janë edhe më të larta. Banorët u bëjnë apel instancave kompetente të marrin masa menjëhershme për heqjen e mbeturinave nga zonat e banimit.

Ministria e Mjedisit gjobit 365 subjekte në zonat turistike

Ligji "Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta" nuk po gjen zbatim në disa zona turistike në Shqipëri. Në këtë përfundim ka arritur Drejtoria e Kontrollit të Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit gjatë kontrolleve të kryera në disa komuna dhe subjekte në bregdet nga Saranda në Velipojë. Shkeljet që janë konstatuar janë derdhja në det e ujërave të zeza, e inerteve dhe mbetjeve të tjera urbane. Alfred Deshati, drejtor i Kontrollit të Mjedisit në këtë ministri u shpreh se inspektorët e mjedisit kanë kryer një sërë kontrollesh jo vetëm në zonat bregdetare, por në disa qytete porsa i përket ndotjes nga derdhja e ujërave të zeza si dhe ndotja akustike. “Për disa zona bredetare do të kryhet verifikimi në bashkëpunim me inspektoriatin vendor për të parë skemën e shkarkimit në lejën e ndërtimit. Sezoni i 2012 nuk do të ketë më probleme më për ndotjen e ujrave të zeza, nuk do të ketë më ndodtje akustike”, tha Deshati. Në 7 qytete janë kryer dhjetëra inspektime e për pasojë janë gjobitur disa subjekte dhe 153 të tjerëve iu është pezulluar aktiviteti. Sipas Deshatit zonat që konsiderohen më të ndotura gjatë gjithë vijës bregdetare në vendin tonë ndodhen në qytetin e Durrësit dhe atë të Vlorës por nuk bëjnë përjashtim dhe disa zona përgjatë vijës bregdetare në veri të vendit, ndërsa pjesa tjetër e jugut mbetet pa dyshim perla e bregdetit shqiptar. “Pjesërisht më e ndotur është zona e Golemit dhe zona e Kavajës. Në Vlorë kemi një ndotje të jashtëzakonshme të plazhit përpara se të shkosh në pjesën e tunelit, por vetëm kaq”, shprehet drejtori i Kontrollit të Mjedisit. Deshati u bëri thirrje të gjithë bizneseve të marrin masa në parandalimin e derdhjeve të ujërave të zeza në det ndryshe ministria e Mjedisit do t’i ndëshkojë me gjobë deri në pezullimin e biznesit. Të njëjtin mesazh drejtori i Kontrollit të Mjedisit e dha edhe për pushtetin vendor që për shkak të veprimeve apo mos veprimeve të tyre janë lejuar këto subjekte të kryejnë shkarkimin e ujërave të zeza në det.

11 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›