Maqedonasit, turistët e huaj më të shumtë në Shqipëri
TIRANË - Në Shqipëri shumica e turistëve të huaj që vijnë nuk janë kosovarë, por maqedonas. Në këtë përfundim ka arritur deri tani një sondazh që ka nisur të behet në pikat kufitare dhe në plazhet shqiptare. Studimi po bëhet nga Ministria e Turizmit. Sipas të dhënave të deritanishme, më shumë se 21 për qind e turistëve që kanë hyrë në vendin tonë janë nga Maqedonia. Pas tyre, me rreth 18 për qind vijnë kosovarët, të cilët përgjithësisht kanë frekuentuar plazhet shqiptare. Nuk janë të paktë dhe malazezët që kanë ardhur në vendin tonë, edhe pse turizmi i tyre mund të ketë qenë ditor. Sipas të dhënave, pjesën tjetër të turistëve e mbushin shtetet si, Italia, Gjermania, Çekia, Greqia etj. Sipas të dhënave, këto rezultate kanë dalë pasi janë pyetur më shumë se 2 mijë qytetarë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë muajve qershor dhe korrik. Rezultatet e plota të këtij anketimi pritet që të dalin në përfundim të sezonit turistik në Shqipëri. Shumica e emigrantëve që kanë ardhur këtë vit në vendin tonë kanë preferuar kryesisht bregdetin e Jugut, po dhe Velipojën dhe Shëngjinin. Në këto zona pushuesit janë kryesisht kosovarë.
Turistët e huaj
Numri i vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti është mbi 1 milion, rreth 550 000 mijë prej tyre janë shtetas të huaj, ndërsa 452 000 të tjerët janë shqiptarë me rezidencë jashtë shtetit”, - bën të ditur Ministria e Turizmit. Ndër qytetarët e huaj që kanë preferuar Shqipërinë, tri vendet e para i zënë ata nga Maqedonia me 21 për qind të totalit, Kosova me 19 për qind dhe Mali i Zi me 12 për qind. Ndryshe nga vitet e tjera, ku gjatë periudhës së pikut të turizmit këta vizitorë përqendroheshin kryesisht në plazhet e Durrësit, këtë verë ata kanë zgjedhur në masë edhe bregdetin e Jonit. “Sipas informacioneve që kemi nga Ambasada jonë në Maqedoni, këtë vit maqedonasit preferojnë Vlorën, ndryshe nga një vit më parë me Durrësin. Turistet nga Kosova preferojnë Durrësin por kemi edhe një shtrirje në Jugun e Shqipërisë”, - thonë zyrtarë të Ministrisë së Turizmit. Në bazë të statistikave të bëra të ditura nga Ministria e Turizmit, numri i vizitoreve këtë vit është shtuar me 5.2 për qind krahasuar me një vit me parë. Përsa u përket vizitorëve të huaj, në totalin e llogaritur bëjnë pjesë edhe ata që hyjnë në vend për qëllime biznesi.
Fluksi
Pavarësisht se gushti shënon fundin e sezonit veror, numri i emigrantëve shqiptarë që kthehen në atdhe për pushimet e verës mbetet i lartë edhe në këto ditë. Paralelisht me emigrantët shqiptarë, një numër i konsiderueshëm emigrantësh me banim në Kosovë dhe Maqedoni apo edhe nga shtetet e huaja kanë hyrë nëpërmjet Portit të Durrësit gjatë ditëve të fundit. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në port janë akoruar 7 tragete nga ku kanë zbarkuar 6300 mijë shtetas si dhe mbi 2200 mjete, pjesa më e madhe e të cilëve janë emigrantë shqiptarë që kthehen për kë kaluar pushimet e verës në vendlindjet e tyre. Edhe pse autoriteti Portual, Dega e Doganës, Kapiteneria dhe Policia Kufitare kanë marrë masa për përballimin e fluksit, radhët e gjata nuk kanë munguar.
Porti i Durrësit
Përgjatë gjithë ditës, në Portin e Durrësit mbërrijnë 9 tragete, prej të cilave pritet zbresin mbi 9700 pasagjerë, si dhe 3170 automjete. Ndërkaq, sipas autoriteteve doganore, fluksi i emigrantëve parashikohet të jetë i lartë deri më 15 gusht. Nga ana tjetër, në pikat kufitare tokësore të Kakavijës dhe Kapshticës, fluksi i emigrantëve që kthehen në atdhe paraqitet mëse normal. Në këto pika doganore sportelet funksionojnë me ritmin e zakonshëm.
Doganat me Greqinë
Kështu, në ditët fundit, në pikat doganore të Shqipërisë me Greqinë kanë hyrë një numër i madh emigrantësh. Dje në Kakavijë kanë hyrë 2800 persona dhe 600 automjete. Në Kapshticë, po në 24 orët e fundit, kanë mbërritur në atdhe rreth 2900 persona dhe 650 automjete. Pala shqiptare punon me 4 sportele, ndërsa ajo greke me 3. Fluksi i bashkatdhetarëve që do të kalojnë si çdo vit pushimet verore pranë familjeve, pritet të rritet ndjeshëm këtë fundjavë.
Numër rekord në Vërmicë, në korrik 700 mijë persona
PRIZREN - Vendkalimi kufitar në Vërmicë ka shënuar një numër rekord të frekuentimit gjatë muajit korrik. Në këtë pikë kufitare që lidh Kosovën me Shqipërinë, vetëm muajin e kaluar janë regjistruar mbi 700 mijë persona, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit policia ka regjistruar mbi 32 mijë persona. “Vetëm gjatë muajit korrik kanë qenë 170 mijë automjete që kanë kaluar nëpër këto pika, nënkuptohet hyrje dhe dalje. Sa i përket numrit të personave janë mbi 700 mijë persona që kanë kaluar vetëm gjatë muajit korrik", - bën të ditur Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës. Zëdhënësi Beka tha se policia e Kosovës është dukë zbatuar marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar më parë me Policinë e Shqipërisë, e cila përfshin edhe patrullimin e përbashkët të dy policive dhe kjo, sipas tij, po ndihmon në parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor e sidomos atyre me pasoja fatale. “Falë një marrëveshjeje, e cila është nënshkruar në mes të policisë së Kosovës dhe policisë së Republikës së Shqipërisë personat kontrollohen vetëm në njërin pikë. Personat që dalin nga Kosova kontrollohen vetëm nga policia e Republikës së Shqipërisë, ndërsa ata që hynë kontrollohen vetëm nga Policia e Kosovës”, - vijon Beka. Marrëveshja për patrullime të përbashkëta ka dhënë rezultate thotë zëdhënësi Beka i cili sqaron se se që nga fillimi i sezonit nga Vërmica e deri te tuneli i Kalimashti nuk është raportuar asnjë aksident me pasoja fatale.
Problemet me emrin, maqedonasit braktisin Greqinë
TIRANË - Përplasjet që ka Maqedonia me Greqinë në lidhje me emrin kanë bërë që një numër i madh pushuesit të braktisin plazhet greke dhe të vijnë në Shqipëri. Një vit më parë, mbi 88 për qind e maqedonasve preferuan t’i kalojnë pushimet verore në Shqipëri. maqedonasit braktisur Greqinë për shkak të konflikteve me emrin. Maqedonasit kanë preferuar bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e verës. Në 2009-n janë mbi 100 mijë qytetarë nga Maqedonia që kanë zgjedhur Shqipërinë si vendin më të preferuar për pushimet verore. Sipas të njëjtit burim, maqedonasit kanë braktisur si brigjet greke, malazeze, ashtu edhe ato bullgare. Largimi nga Greqia ka ardhur pas rritjes së tensioneve mes dy vendeve lidhur me çështjen e emrit si dhe disa konflikteve sporadike me të cilat kjo çështje është shoqëruar. Ndërkohë, maqedonasit nuk kanë preferuar as bregdetin malazez për shkak të çmimeve tepër të larta aplikuar për këtë sezon veror. Ndërkohë, Bullgaria bëhet pak e frekuentuar për shkak të vizave. Agjencitë turistike njoftojnë se gjatë korrikut numri i pushuesve maqedonas në Shqipëri arriti në rreth 100 mijë, por kjo shifër pritet të jetë më e madhe gjatë gushtit. Turistët nga shteti fqinj, qoftë maqedonas apo shqiptarë nga Maqedonia, vazhdojnë të dynden kryesisht në Durrës, por jo më pak fluks ka pasur edhe në Vlorë dhe Sarandë.
11 Gusht 2010