E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohet fluksi i emigrantëve, agjencitë detare rrisin çmimet



Emigrantët janë përballur me rritjen e çmimit të biletës, por dhe mungesën e trageteve
Nga një vit më parë rritja e biletave është 60 për qind, por kjo në mënyrë spekulative

Ervin KOÇI

Të shkosh për në Itali me një traget të linjave Durrës-Bari, Durrës-Ankona, apo Vlorë-Brindizi, Vlorë-Bari etj., po kështu edhe në kthim, është më shtrenjtë se të vish me këto linja për në drejtim të Budvës, Tivarit apo Ulqinit dhe pastaj të hysh në Shqipëri me një mjet. Kompanitë e lundrimeve që kanë tragete të linjave me Italinë, kanë rritur çmimin e biletës për të gjithë udhëtarët që do të lundrojnë me tragete nga portet italiane drejt portit të Durrësit e Vlorës. Shkak për këtë vendim të tyre është bërë dalja nga lundrimi i “Adriatica” për këtë sezon vere. Por sipas disa prej administratorëve të agjencive detare, “çmimet janë kthyer në normalitet dhe nuk janë rritur, kjo duke e krahasuar me vitin 2009”. Burime nga agjencitë që afrojnë rezervime për lundrime drejt porteve italiane dhe shqiptare thonë se, “çmimet për sezonin e verës dhe në pikun e kërkesës do të jenë deri në 60 për qind më të larta, pasi kjo është e ndikuar nga kushtet tona teknike e financiare”. Ata shprehen se, “tarifat portuale në Durrës janë më të larta për çdo prekje trageti nga portet italiane dhe kjo pa dyshim ndikon në çmimet e shërbimeve të tjera”.

Çmimi i biletave
Ndryshimi duket se ka nisur javë më parë. Një biletë për qëndrim në këmbë në traget do të kushtojë 64 euro, mjeti për t’u transportuar do të paguajë 80-100 euro, rezervimi për një shtrat të thjeshtë 74 euro, shtrati i klasit të parë kushton 94 euro dhe prenotimi i një dhome suitë është bërë 115 euro. Vetëm një vit më parë bileta në këmbë me traget kushtonte 38 euro dhe rritja e saj me 26 euro është cilësuar më së shumti spekulim. Rritja me 60 për qind e biletës bëhet në mënyrë spekulative dhe kjo pritet të jetë një ndër pikat më të vëzhguara e më të monitoruara. Ankesat për rritjen e pajustifikuar të biletës kanë mbërritur edhe në ministrinë e Transporteve. Me nisjen e fluksit të emigrantëve shqiptarë kompanitë kanë vendosur të rrisin çmimin kjo më së shumti të bindur se në pjesën më të madhe emigrantët do të detyrohen të marrin rrugën me mjete. Në biletën e prerë për asnjë rast nuk të afrohet në traget asnjë lloj shërbimi. Udhëtarët që marrin përgjithësisht këtë rrugë në pamundësi për të fluturuar me avion janë të detyruar të paguajnë në banak për kafen, çajin, ujin apo çdo gjë tjetër. Gjithnjë, sipas tyre, për një familje që zgjedh linjën ajrore bileta mund të kushtojë deri në 400 euro vajtje-ardhje, kurse e njëjta familje nëse zgjedh tragetin do të duhet të paguajë deri në 1200 euro për vajtje-ardhje.

Fluksi
Fluksi në drejtimin Bari-Durrës nis në korrik, pasi emigrantët dërgojnë fillimisht familjen, gratë e fëmijët që mbarojnë shkollën dhe në gusht vijnë edhe vetë. Ndërkohë, në kthim familja është e bashkuar e gjitha dhe kjo ka shtyrë kompanitë të shfrytëzojnë sa më shumë fluksin. Kjo situatë pasohet me rritjen mbi kapacitetet e lejuara të përpunimit të udhëtarëve e mjeteve në një traget dhe rritjes së biletës. Kompanitë e trageteve janë italiane e shqiptare, ndërsa në vendin tonë operojnë përfaqësitë si “Kad”, “Duni”, “Adria”, “San Nikolla”, “Europian Seëjs”, “Rigel”, të cilat janë të detyruara vetëm të bëjnë transportin pa pasur asnjë të drejtë të ndikojnë në çmimet e biletës për udhëtarë, mjete, kamionë. Në sezonin e sivjetmë çmimet do të jenë shumë të larta dhe kjo ka tërhequr vëmendjen e specialistëve në ministri, ndërkohë që ende në opinion nuk është mësuar një rritje e tillë, ngase fluksi nuk ka ardhur. Por emigrantët që kanë rezervuar lundrime për Durrës në gusht e në shtator, janë gjendur të befasuar. Pavarësisht kushteve, kapaciteteve e higjienës që kanë tragetet “Rigel”, “Apollonia”, “Jonis”, Axurra”, “Arbëria” etj., biletat janë shumë më e lartë se vitet e tjera. Kjo rrezikon që emigrantët, kryesisht kosovarë, të zgjedhin një itinerar tjetër për të shkuar në Kosovë apo për t’u kthyer në vendet e tyre rezidenciale. Linjat për në Igumenicë, Mal të Zi e Maqedoni të disa kompanive të tjera ofrojnë edhe çmime shumë më të favorshme, edhe kushte cilësore lundrimi.

Mungesa e anijeve, emigrantët bllokohen në portin e Barit

Skandal në Portin e Barit. Më shumë se 5 mijë shqiptarë janë bllokuar në port, në pritje të nisjes për në Shqipëri. Të gjithë janë shqiptarë që duan të vijnë për të kaluar pushimet pranë të afërmve. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”, sipas së cilës, edhe pse pritej që tragetet të niseshin nga ora 22:00 deri në 24:00 të dy ditëve më parë. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Tragetet janë nisur vetëm në orën 03:00 ose 04:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, thanë burime nga Porti i Barit. Sipas të njëjtit burim, disa shoferë kamionësh kanë ditë që presin për t’u nisur në drejtim të Shqipërisë. Gazeta italiane bën të ditur se në orën 20:30 të dy ditëve më parë ishin më shumë se një mijë makina që prisnin për t’u ngarkuar në traget dhe të niseshin në drejtim të porteve shqiptare. Dhe italianët e kanë gjetur shkakun e këtij skandali. Janë shqiptarët, thonë. “Për shkak të ngadalësimeve dhe vonesave në Shqipëri”, - shpjegon një burim nga Porti i Barit në Itali, për gazetën italiane. Situata më e rëndë është për disa kamionistë që duhet të vijnë në Durrës për të dorëzuar mallin. Disa prej tyre, siç kanë shpjeguar për “La Gazzetta del Mezzogiorno”, kanë ditë që rrinë aty dhe akuzojnë agjencitë e udhëtimit se preferojnë të kalojnë makinat e vogla dhe kamionët nuk i lejojnë që të nisen. Shoferët e kamionëve kanë deklaruar se nëse do të vonohen dhe maksimumi një ditë, atëherë malli që ata kanë ngarkuar dhe do ta sillnin në Shqipëri duhet të hidhet. “Është mall që prishet shpejt nëse rri në kamion”, - shpjegon një nga shoferët. Drejtues të Portit të Barit kanë deklaruar se situata pritet që të normalizohet ditën e martë, pasi një kompani ka siguruar se do të vendosë në lëvizje një traget vetëm për kamionët që duhet të ngarkojë në bord 120 kamionë.

Linja Durrës-Bari (Itali)

Të rritur Fëmijë Automjetet Motorët
45 euro 24 euro 81 euro 66,50 euro

Linja Bari-Durrës

Të rritur Fëmijë Automjetet Motorët
45 euro 24 euro 112,50 euro 68,50 euro

Abuzim me çmimin e bukës, Konkurrenca nis vëzhgimin e tregut

Furnizuesit e miellit abuzojnë me rritjen e çmimit të miellit duke e përcjellë atë edhe tek prodhuesit e bukës. Sipas komisionerit të Autoritetit të Konkurrencës që nga janari deri në qershor në vendet nga ku importohet gruri ka pasur luhatje te vogla të çmimit dhe kjo është shfrytëzuar në mënyre abuzive nga importuesit e grurit në Shqipëri duke e rritur çmimin për prodhuesit e bukës në mënyrë artificiale. Nga monitorimet e AK-së, ndonëse ka pasur një rritje të vogël të çmimit të grurit, ajo është reflektuar në një masë më të madhe në Shqipëri dhe nga ana tjetër ka pasur dhe një rënie të vlerës së dollarit. Për më tepër një ditë më parë është shënuar një rënie e çmimit të grurit në bursë gjë e cila nuk është reflektuar nga operatorët tanë duke vazhduar edhe gjatë rritjen e çmimit për një kuintal miell. “Nga konstatimet tona mund të them se dje dhe sot ka një rritje abuzive të çmimit të miellit dhe kjo përbën problem si për konsumatorët, por edhe tregtarët. Ka një situatë kur operatorët kanë filluar të keqpërdorin rritjen e çmimit në bursat ndërkombëtare në muajin korrik”,- është shprehur Koço Broka, komisioner i AK-së. Sipas Brokës, kërkohet angazhimi i të gjitha strukturave si drejtoria e doganave, ajo e tatimeve, inspektoratet e ndryshme shtetërore për t’i thënë stop abuzimit të fabrikave të miellit. “Monitorimi i faturave të miellit është një ndër objektivat tanë kryesorë. Po vihen re shenja të dukshme të abuzimit të çmimit nga operatorët. Në të tilla raste abuzimi, gjoba shkon nga 2-10 për qind të xhiros totale dhe në varësi të dëmit të shkaktuar për bizneset e tjera dhe konsumatorit”,- deklaroi Broka. Çmimi i bukës në Tiranë u rrit me 10 lekë në të gjitha furrat e bukës, menjëherë sapo u paralajmërua nga disa prodhues.

Taksat për makinat e përdorura, ekspertët: “Favorizon koncesionarët”

Ligji për taksimin e makinave në bazë të vjetërsisë së tyre pritet që të ketë ndikim negativ në tregun e makinave të përdorura dhe tek konsumatorët. Artan Gjergji drejtor i Fondacionit për Liri Ekonomike dhe ekspert ekonomie, deklaroi se, kjo do të jetë një barrë për qytetarët pasi do të detyrohen që të mos shesin apo blejnë makina të përdorura. Sipas Gjergjit, ky ligj është pozitiv për operatorët që tregtojnë makina të reja. Kjo mënyrë e re sipas Gjergjit pritet që të mos ndikoj pozitivisht as në buxhetin e shtetit.

Rritet çmimi i naftës në tregjet botërore

Çmimi i arit të zi në tregjet ndërkombëtare, ka shënuar ndryshime në krahasim me një ditë më parë. Çmimi është rritur edhe në bursën e Nju Jorkut, ku një fuqi naftë është shitur për 80.72 dollarë. Në tregun e Nju Jorkut, çmimi i naftës ka shënuar rritje prej 79 centë, është shitur me 81.46 dollarë për fuçi. Kurse nafta Brent, duke shënuar rënie prej 18 centë, në tregjet botërore është shituar me 80.72 dollarë për fuçi.

11 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›