E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Shëndetësisë jep shifrat e të lënduarve, mes tyre edhe një diplomat

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka bërë një përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.

Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat spitalore, në Spitalin Universitar të Traumës po trajtohen aktualisht shtatë persona: një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar nga Trauma pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.

Edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë trajtuar persona të lënduar gjatë protestës. Sipas ministres Spahiu, një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe gjashtë protestues kanë marrë ndihmën mjekësore dhe janë larguar nga spitali.

Ministria e Shëndetësisë thekson se kujdesi mjekësor u ofrohet të gjithë personave të lënduar pa dallim, në përputhje me gjendjen e tyre klinike dhe nevojat për trajtim.

Sipas njoftimit, situata po ndiqet në vijimësi në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, ndërsa të dhënat për numrin e personave të trajtuar dhe gjendjen e tyre përditësohen në bazë të informacionit të verifikuar nga strukturat përkatëse.

Ministria ka falënderuar ekipet e urgjencës, mjekët, infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë për kujdesin e ofruar gjatë situatës së krijuar nga protesta. a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›