“Dhuna policore”, Bardhi: Qeveria mashtron, te Trauma nuk ka asnjë polic të shtruar, vetëm qytetarë

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestës së studentëve në Tiranë, duke akuzuar qeverinë për mashtrim lidhur me personat që po marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës.
Në reagimin e tij, Bardhi deklaron se në këtë spital nuk ka asnjë punonjës policie të shtruar, ndërsa të paktën tre qytetarë me dëmtime serioze po marrin trajtim mjekësor. Sipas tij, në spital ndodhen edhe deputetët e PD-së Jorida Tabaku dhe Tritan Shehu.
“Dënojmë me forcën më të madhe dhunën e egër të policisë së narkoshtetit kundër studentëve, të cilët janë duke ushtruar të drejtën kushtetuese për protestë”, shprehet Bardhi.
Ai u ka bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria, pavarësisht bindjeve politike, që t’i bashkohen protestës së të rinjve, duke e krahasuar këtë mobilizim me lëvizjen studentore të vitit 1991.
Bardhi thekson se kërkesat e studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve janë të drejta dhe se Partia Demokratike i mbështet ato. Ai kërkon gjithashtu largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen për problematikat e ngritura nga studentët, por edhe nga fermerët, minatorët, punonjësit e fasonerive dhe profesionistët e lirë.
Në fund të reagimit, kreu i grupit parlamentar të PD-së kërkon lirimin e menjëhershëm të personave të ndaluar, të cilët i cilëson si të ndaluar në mënyrë të paligjshme, si dhe ndëshkimin e personave që, sipas tij, kanë kryer ose urdhëruar dhunën ndaj protestuesve.