E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Punës rrit vetëm 250 lekë pagesën e invalidëve

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka vendosur rritjen e masës së përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe për të gjithë personat që kanë statusin e të verbrit. Por, ndonëse ky lajm duhej të gëzonte personat që iu përkasin këtyre kategorive, reagimet nuk do të jenë të tilla, duke qenë se rritja është vetëm 250 lekë. Sipas udhëzimit të ministrit Spiro Ksera, pagesa e invaliditetit, duke filluar nga data 1 shtator do të jetë në masën 9 750 lekë në muaj, ndërkohë që deri më tani ajo përllogaritej në masën 9500 lekë. E njëjta vlerë vihet re edhe te pagesat e verbërisë, të cilat deri më tani përllogariteshin në masën 10 850 lekë në muaj, ndërkohë që sipas udhëzimit të ri kjo pagesë do të shkojë në 11100 lekë. Rritje kanë pësuar edhe masat e përfitimit të personave shoqërues për këto kategori, por edhe në këtë rast vlera është shumë e vogël. Sipas udhëzimit të ri, masa e përfitimit për kujdestarin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik bëhet 10 250 lekë në muaj, nga 10000 lekë që ishte deri më tani. Sa u takon kujdestarëve të të verbërve, masa e përfitimit për shkak të verbërisë është e njëjtë me atë të personave që e shoqërojnë, çka do të thotë se duke filluar që nga data 1 shtator edhe ata do të përfitojnë rritjen prej 250 lekësh.
Rritja në vite
Në fakt, nëse bëhet një vëzhgim në lidhje me rritjen që kanë pësuar pagesat e invaliditetit në vite, të bie në sy se ato kanë qenë tepër modeste. Kështu, duke filluar që nga viti 2001, vit kur për herë të parë u parashikua trajtimi i personave me aftësi të kufizuar përmes pagesës së paaftësisë, rritja ka qenë në vlerën 1050 lekë. Në vitin 2001, masa e përfitimit për invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, përllogaritej në masën 8 700 lekë në muaj, ndërsa po të marrim parasysh rritjen më të fundit, ajo shkon në 9750 lekë, çka të lë të kuptosh se në fakt nuk kemi të bëjmë fare me një rritje, por thjesht indeksim të këtyre pagesave, me indeksin e çmimeve të konsumit. Edhe masa e përfitimit nga kujdestarët e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë në 12 vjet është rritur me vetëm 1050 lekë. Kjo, pasi në vitin 2001 ajo ishte në masën 9200 lekë, ndërsa në vitin 2013 ka shkuar në 10250 lekë në muaj. Në fakt, rritjet modeste nga ana e Ministrisë së Punës duket se nuk janë një risi e këtij institucioni. Edhe një vit më parë u ndërmor një rritje për kuotat e shpenzimeve ushqimore në institucionet publike rezidenciale e komunitare të përkujdesit shoqëror. Në fakt, rritja ishte aq e vogël sa për çdo kategori që përfitonte nga këto qendra ajo kapte vlerën e 10 lekëve. Një rritje të tillë pësuan edhe kuotat financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve për klientët, që përfitojnë shërbime në qendra ditore publike të përkujdesit shoqëror, sërish me 10 lekë për çdo kategori. Në bazë të vendimit të ministrisë, klientëve që përfitonin shërbim në qendrat ditore polivalente kuota u shkonte në 160 lekë, nga 150 lekë që ishte më parë.
Përfituesit
Përfitues të pagesës së paaftësisë janë personat me aftësi të kufizuar, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë. Gjithashtu, përfitojnë paraplegjikët dhe tetraplegjikët, si dhe personat të cilët janë deklaruar invalidë pune, sërish me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë. Vlerësimi i gjendjes mjekësore të personave me aftësi të kufizuar, bëhet nga KMCAP-i, i cili është i ngritur dhe funksionon pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku merr pjesë, si anëtar me të drejtë vote, edhe mjeku, punonjës i Shërbimit Social Shtetëror. Ndërkohë që, shpenzimet për pagesën e anëtarëve të KMCAP-it përballohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë pajisen me dëshmi zyrtare identifikimi, ndërsa pagesa jepet në formën e një kësti mujor në lekë.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›