E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ministrja gjermane e Mjedisit në Parkun Kombëtar të lumit Vjosa, projekt për zhvillim të butë ekonomik të popullatës

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Ministrja e Mjedisit e Gjermanisë, Steffi Lemke, e cila po viziton këto ditë Shqipërinë, u ndal në Parkun Kombëtar të lumit të egër Vjosa.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Ambasada e Gjermanisë në vendin tonë bën të ditur se ministrja Lemke mori një ide nga aty, dhe nëpërmjet bisedave me shoqërinë civile dhe politikën lokale, për vlerën unike të këtij peizazhi natyror të lumit.

“Shqipëria ka peizazhe të mrekullueshme dhe një biodiversitet të pasur. Natyrën e paprekur e vlerësojnë gjithnjë e më shumë edhe turistët e huaj. Mua më intereson të kuptoj se si mund të harmonizohen çështjet e mjedisit dhe mbrojtjes së natyrës me zhvillimin ekonomik“, u shpreh ministrja gjermane e Mjedisit.

Në postimin e Ambasadës bëhet e ditur se përmes një projekti të ri të bashkëpunimit gjermano-shqiptar për zhvillim, “Green Vjosa”, do të mund të kontribuohet në të ardhmen në një zhvillim të butë ekonomik të popullatës përreth.

“Është e bukur që, përmes një projekti të ri të bashkëpunimit gjermano-shqiptar për zhvillim “Green Vjosa”, do të mund të kontribuojmë në të ardhmen në një zhvillim të butë ekonomik të popullatës përreth, në përputhje me masat për mbrojtjen e natyrës”, citohet Ambasada.

Lumi Vjosa, i gjatë 270 kilometra, rrjedh nga shpatet e mbuluara me pyje të maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin adriatik të Shqipërisë.

Qeveria e shpalli Park Kombëtar, lumin Vjosa, që është lumi i fundit i egër në Europë, në fillim të vitit 2023.

Shkencëtarët thonë se ekosistemi i Vjosës është habitat për 1100 specie, 13 prej të cilave janë në rrezik të madh të zhdukjes. Vjosa gjithashtu ka vlera ekologjike, kulturore dhe ekonomike për 60.000 shqiptarët që jetojnë në brigjet e saj.

1 nga 4

/a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›