Rrjet prostitucioni nga Kolumbia në Shqipëri, 8 të arrestuar, mes tyre një efektive

Një rrjet prostitucioni është goditur në Tiranë, ku 8 persona janë arrestuar dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjithashtu gjatë operacionit të koduar “Orkidea”, janë proceduar penalisht gjithsej 44 shtetase të huaja nga Amerika Latine, të cilat akuzohen për prostitucion.
Hetimet kanë zbuluar se 47-vjeçarja G. R., e shpallur në kërkim, drejtonte aktivitetin kriminal nga Kolumbia, ndërsa në Shqipëri ajo bashkëpunonte me shtetasin Esmerald Sulollari. Ky i fundit ishte përgjegjës për sigurimin e kushteve në Shqipëri për prostitucionin e femrave të trafikuara.
Hetimi ka treguar gjithashtu se G. R dhe Esmerald Sulollari bashkëpunonin me shtetaset kolumbiane si dhe me shtetaset Elona Muraj dhe Anisa Brahja, e cila është punonjëse policie. Ata ishin të përfshirë në akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve ku këto shtetase do të ushtronin aktivitetin e prostitucionit.
Aktualisht, po punohet për kapjen e 3 shtetasve që janë shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes, në mënyrë që të merren masa të tjera ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Masat e ekzekutuara deri më tani:
-Arrest me burg për shtetasin E. S., 39 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer ne bashkëpunim , “Shfrytëzim i prostitucionit”;
-Arrest në shtëpi për shtetasen E. M., 47 vjeçe,, si e dyshuar për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer ne bashkëpunim , “Shfrytëzim i prostitucionit” ;
-Arrest me burg për shtetasen Y. G., 33 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen L. V., 23 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen N. B, 27 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Veprim që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”;
-Arrest me burg për shtetasen S. M., 29 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen N. B., 27 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”:
-Arrest në shtëpi për shtetasen A. B., 34 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
/rtsh.al/