Minoritarja mashtronte shqiptarët për viza amerikane
Eva Zhanga, në serinë e bëmave të saj kriminale, ka mashtruar disa shqiptarë, duke u marrë para në këmbim të dërgimit të tyre në tokën e premtuar, në Amerikë. Për të kryer misionin e saj, ajo përdorte shumë identitete që e ndihmonin për të qëndruar përkohësisht larg vëmendjes së të mashtruarve. Policia greke ka konstatuar se minoritarja 54-vjeçare, operonte në më shumë se 15 qytete greke dhe më pas e shtriu aktivitetin e saj në Amerikë. Duke iu referuar raportimit të mediave greke, mashtrimet dhe falsifikimet e 54-vjeçares minoritare nuk kanë fund. Zhanga mashtroi dhjetëra shqiptarë, të cilëve u premtonte se do t’u siguronte vizë për në Amerikë.
Sipas sitit news.gr, në emisionin “Apotipomata” u publikua një letër të cilën 54-vjeçarja ia dërgonte ish-bashkëshortit, i dyshuar edhe si pjesëtar në vrasjen, e më pas në betonimin e 42-vjeçarit biznesmen. Në letër ajo shkruante të gjitha mashtrimet që kishte bërë dhe pasojat e tyre, pasi kërcënohej sistematikisht nga borxhlinjtë. Gruaja “merimangë” i shkruante gjithashtu për periudhën që qëndroi në Amerikë. “Më fal i dashur që të kam mashtruar e të kam gënjyer. Ishin disa persona që më kërcënonin me vdekje dhe isha e detyruar të veproja ashtu. U kërkoj falje njerëzve që kam mashtruar, shqiptarëve që u kam marrë paratë, një pjesë të madhe ua kam kthyer... Edhe në Amerikë më ndiqnin. Më takuan në Los Anxhelos dhe më kërcënuan duke më thënë se nëse nuk u jepja para do të më vrisnin. Aty nuk munda të fitoj dot shumë para nga mashtrimet. Kisha fituar vetëm 7.000 dollarë. Nuk më besonin ata që më kërcënonin dhe u detyrova të t’i marr ty”, shkruan 54-vjeçarja minoritare.
Dyshohet se letra mund të jetë shkruar në momentin që e kishte kuptuar se do arrestohej dhe i parapriu, me këtë letër e nxjerr veten si një viktimë e kërcënimit.
Përveç mashtrimeve dhe mënyrave të ndryshme të afrimitetit që përdorte, 54-vjeçarja minoritare që ka shokuar të gjithë Greqinë, pagëzonte edhe fëmijë për të qenë sa më afër mënyrës së mashtrimit.
Një qytetar denoncoi faktin se gruaja pagëzoi një fëmijë, që ta përdorte më vonë atë për të fituar para. Në ceremoni u tha prindërve të fëmijës se humbi kryqin e pagëzimit dhe i duheshin para për të blerë tjetër. Madje, ajo iu ka marrë 600 euro për të paguar edhe shpenzimet e pagëzimit, pasi gjoja nuk i kishin ardhur ende paratë nga Amerika. Kështu mashtrimet e saj vijonin me të tjerë viktima. Pas vrasjes në Dikofto të Patrës të biznesmenit 42-vjeçar, i cili, sipas Zhangës, nuk i jepte pjesën e parave që i takonin, viktimat e saj janë duke denoncuar njëra pas tjetrës. Ndër viktimat është edhe bashkëshorti i saj greko-amerikan me të cilin u martua, i mori paratë, e braktisi në një azil, derisa ai vdiq.
Pak ditë më parë, policia greke, falë informacioneve të marra në rrugë operative, ka mundur të zbulojë një vrasje, e cila kishte të bënte me një ngjarje të pazbardhur për arsye të mungesës së informacionit, që daton që më 23 maj të vitit 2009. Viktima ishte 42-vjeçari Tasos Tsagaropoulos. Mediat raportuan se biznesmeni ishte vrarë nga një shtetase shqiptare, që banonte prej kohësh në Greqi. Eva Zhanga u arrestua disa ditë pas zbulimit të kufomës dhe u mor në pyetje në Patra. Ajo pranoi se kishte asistuar në vrasjen e 42-vjeçarit, por se nuk kishte të bënte me ekzekutimin e tij, por ishte dikush tjetër ai që e kishte realizuar krimin. Këtu policia hodhi dyshimet e para për ekzistencën e një grupi kriminal. Madje, këtë version e ka hedhur për konsumim publik edhe avokati i 54-vjeçares, duke aluduar se 42-vjeçari mund të ishte koka e grupit dhe se klientes së tij i jepte një lëmoshë për kontributin në grup, kur vetë përfitonte miliona. Mendohet se shkak i ekzekutimit të biznesmenit mund të jenë edhe pazaret e prishura me anëtarët e grupit.
#