E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta për Le Monde. Pronarët e mundshëm, pasanikë nga pornografia

Janë zotuar që t’ua lënë gazetarëve të lirë dorën për linjën editoriale

“Le Monde”, e përditshmja më prestigjioze franceze në botë, do të bjerë në duar e ish-partnerit shpirtëror dhe më pas të biznesit të Yves Saint-Laurent një miliarder radikal që e krijoi nga hiçi pasurinë e tij nga pornografia në internet, linjat e komunikimit erotik dhe shfaqjen erotike. Gazetarët e “Le Monde” që e kanë kontrolluar gazetën që prej më se gjysmëshekulli kanë votuar me mbi 90% për të pranuar si aksionerë të shumicës konsorciumin që drejtohet nga Pierre Berge, 81 vjeç dhe Xavier Niel, 42 vjeç një nga sipërmarrësit më të suksesshëm dhe të famshëm të internetit në Francë. Pritet që bordi i menaxherëve të gazetës të konfirmojë shumë shpejt këtë vendim duke garantuar të ardhmen e shpejtë të njërës prej gazetave të përditshme më të respektuara dhe të veçanta të botës. Berge dhe Niel kanë qenë të favorizuar shumë nga nëpunësit e “Le Monde” dhe lexuesit. Ata dhe një anëtar i tretë i konsorciumit të tyre, një bankier tregtar u kanë premtuar gazetarëve një votë bllokuese për ndryshimet në gazetë dhe pavarësi të plotë editoriale. Dy javë më parë, Presidenti francez thirri në pallatin e tij botuesin e “Le Monde” për t’i bërë një ndërhyrje për një grup që dëshiron ta ketë gazetën, por kjo ndërhyrje duket se i ka bindur edhe më shumë gazetarët që të vendosin për personat e sipërpërmendur. Sarkozi ka deklaruar se nuk është dakord për zotin Niel për shkak të moralit. Niel tani një multimiliarder e ka filluar karrierën e tij të biznesit në moshën 19-vjeçare duke lançuar një shërbim seksi me telefon dhe më pas edhe në internet, si dhe duke u marrë me organizmin e shfaqjeve erotike. Nga ky biznes ka bërë një pasuri të jashtëzakonshme. Së fundi, ai ka mbështetur edhe dy sajte të majtë investigativë dhe sigurisht që një gjë e tillë nuk i pëlqen shumë Sarkozisë që përfaqëson qendrën e djathtë. Sarkozi nuk parapëlqen as pronarin e mundshëm tjetër, Berge, i cili është mbështetës i kandidates presidenciale të zgjedhjeve të 2007, Segolene Royal. Ai druhet se mos për zgjedhjet e ardhshme, madje më përpara ata do ta shndërrojnë gazetën në një mbështetëse të së majtës. “Le Monde”, e njohur gjithmonë për frëngjishten shumë të përpunuar, ka humbur lexues dhe reklama për shkak të internetit. Por ndërkohë ka bërë edhe gabime strategjike të tilla si lejimin e një kompanie tjetër për t’u marrë me faqen e saj të internetit, ndërkohë që mund ta kishte bërë vetë me më pak shpenzime dhe më cilësore. E gjithë lufta tani bëhet për të ruajtur pavarësinë e editorialeve.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›