“Minoriteti grek” i Sali Berishës Nga Kristaq XhaGjithë zhvillimet politike në gjirin e komunitetit grek të Shqipërisë postkomuniste janë një labirinth tekanjoz i rrethit vicioz që fillon dhe mbaron vetëm me një emër. Me emrin e ish-Presidentit të Re
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Minoriteti grek” i Sali Berishës Nga Kristaq XhaGjithë zhvillimet politike në gjirin e komunitetit grek të Shqipërisë postkomuniste janë një labirinth tekanjoz i rrethit vicioz që fillon dhe mbaron vetëm me një emër. Me emrin e ish-Presidentit të Republikës dhe kryeministrit aktual, zotit Sali Berisha. Duam apo s’duam, na pëlqen apo s’na pëlqen, na intereson apo jo, zhvillimet 19-vjeçare kanë si protagonist vetëm këtë politikan. Që nga direktivat ramiziste top-sekrete dhe deri te strategjia gazidediste, që nga ligjëratat europeiste e deri te marrëveshjet korrupsioniste në sallonet politiko-diplomatike apo bodrumet e errëta të Tiranës. Gjithë të tjerët, me kombësi greke apo shqiptare, kishin “role të dyta” dhe zbatonin urdhrat e “regjisorit” Berisha që kishte ruajtur për vete “rolin kryesor”.
Zullumet politiko-nacionaliste të periudhës 1992-1997 lidhen vetëm me emrin e presidentit të asaj kohe. Ishte vetë zoti Berisha që urdhëroi arrestimin e biznesmenëve në Dropull, që detyroi nxënësit të bojkotonin procesin mësimor duke kërkuar
implementimin e gjuhës amtare në sistemin arsimor të detyrueshëm, që inskenoi arrestimin e 5 veprimtarëve të Omonias, që largoi si të padëshirueshëm ish-Konsullin e Greqisë në Gjirokastër, zotin Kristos Iakovu, dhe priftin Krisostomos Maidhonis, që anatemoi publikisht një vend fqinj, shtet anëtar të BE. Madje edhe deklarata e zotit Berisha: “Më ka thënë baba t”i du fort çamët”, u komentua në atë kohë si një provokacion ndaj komunitetit grek, megjithëse Athina zyrtare e shpërfilli duke e karakterizuar si një sensacion tipik të patriotizmit ballkanas. Edhe në kohën që PD dhe zoti Berisha kanë qenë në opozitë, 1997-2005, akuzonin qeveritë socialiste për shitje të interesave kombëtare te qeveria dhe monopoli grek.
Kurse Sali Berisha, si kryeministër “kapërceu ylberin” dhe tentoi me absolutizmin e tij të shndërrohet në udhëheqës politik dhe prijës reformator i komunitetit grek në Shqipëri. Ndokujt mund t’i duket tezë e shprehur me mllef të tepruar, por faktet janë kokëforta dhe nuk lënë hapësira për shumë komente.
1. Fill pas ardhjes në pushtet zoti Berisha tentoi të firmosë një Moratorium bashkëpunimi eksplicit me përfaqësuesit e pushtetit lokal në komunitetin grek. I delegoi kompetencat ish-prefektit të qarkut Gjirokastër, zotit Spiro Ksera, i cili në atë kohë ishte eksponent i lartë i PBDNJ dhe Omonias. Falë ndërhyrjes së Athinës zyrtare u evitua momentet e fundit firmosja e këtij pazari, që u quajt “AKTSHITJE”. Pas kësaj, kryeministri i vendit do të shndërrohej në shpëtimtar dhe udhëheqës i komunitetit grek dhe do ta tundte si mburojë te ndërkombëtarët.
2. Me fitoren në zgjedhjet e vitit 2005, zoti Berisha u dha pushtet të pakufizuar qeveritarëve të PBDNJ, jo vetëm për të sfumuar bëmat e tij si president, por në mënyrë metodike dhe sistematike u mundua të kontrollonte totalisht partinë e zotit Dule, pasi e dinte se ky i fundit do ta tradhtonte një ditë, se do të kishte fatin e socialistëve. Me një fjalë, PBDNJ duhet të kishte fatin e Partisë Agrare.
3. Pas përplasjeve të para me zotin Dule, kryeministri u hodh në sulm për të marrë në dorë frenat e Omonias. Krijoi skena dhe prapaskena me kryetarin e Omonias dhe të Bashkisë së Himarës, zotin Vasil Bollano. Në emër të “korrupsionit legal” që fillon nga brigjet e Jonit dhe vazhdon me tenderët e kryetarëve të komunave, pasi u vihet kusht të distancohen nga zoti Dule në emër të hakmarrjes së momentit dhe të distancohen nga opozita në tërësi, në emër të “idealit” për të qenë pushtetar i përjetshëm.
4. Zoti Berisha është skenaristi edhe i zhvillimeve më të fundit në organizatën Omonia, duke e transformuar thelbin e debatit në një ngërç absurd “Pro apo kundër kryeministrit dhe Partisë Demokratike?” Atij nuk i intereson uniteti brenda minoritetit. Por “digjet e përvëlohet”, që të “përvetësojë” vulën dhe siglën e Omonias. Për kryeministrin tonë pak rëndësi kanë emrat. Spiro Ksera apo Dhimitër Maluqi, Vasil Bollano apo Kosta Barka. I mjafton vetëm vula dhe firma. Dje bekonte Dulen, sot e mallkon. Nuk është çudi që nesër të ketë të njëjtin fat edhe ministri aktual i Punës.
5. Zgjedhjet e qershorit ishin testi final i politikës së zotit Berisha me komunitetin grek. Në emër të “korrupsionit legal” dhe të veprimeve surprizuese antidemokratike, partia në pushtet arriti të shpallet forcë e parë në minoritet, por me një rezultat që nuk e kalon 35%. Në emër të pushtetit dhe të korruptimit legal, zoti Berisha aktivizoi edhe aleancat fluide, siç ishte rasti tipik i një eksponenti të Partisë Socialiste në Gjirokastër, i cili sulmonte numrin 2 në listën e partisë së tij dhe ndihmonte hapur numrin 2 në listën e Partisë Demokratike. Dhe, kur akuzohej nga socialistët për ndihmën që i jepte beniaminit të zotit Berisha, Spiro Kserës, merrnin përgjigjen cinike të pushtetarëve të velur: “Më mirë pushtetin sesa deputetin?!”
Ja, pra, ky është “minoriteti grek” i Sali Berishës. Një konkluzion që nuk vjen si shumatore faktesh e ngjarjesh, por si një shprehje e memories njerëzore, e ndërgjegjes qytetare dhe e moralit politik. A ka bërë mirë Sali Berisha që sulmoi dhe tentoi të kontrollonte totalisht fatin e përfaqësimit politik të komunitetit grek në Shqipëri? Përgjigjen e saktë dhe definitive do ta japin historianët pas disa vitesh, por fakti që përplasjet brenda Omonias vazhdojnë, tregon se pyetja që parashtruam nuk merr akoma përgjigje.
Megjithatë “minoriteti grek” i zotit Berisha nuk ka asnjë lidhje me komunitetin grek, anëtarët e të cilit janë distancuar nga politikanët e nëmur të pushtetit të Tiranës. Është fakt se vetëm 27% e votuesve të këtij komuniteti marrin pjesë në zgjedhjet elektorale. Shkollat janë lënë në “vdekje klinike” dhe mbyllen gradualisht nga hemorragjia e emigracionit. Infrastruktura nuk është ajo që trumbetohet. Fuqia blerëse dhe prodhuese shënojnë ulje drastike, kurse pronat e komunitetit grek rrezikojnë në hallakatjet dhe zullumet e grabitqarëve që strehohen në zyrat e shtetit apo në sallat ku gjyqësori “dënon” drejtësinë.