Qëndrimet qesharake të mazhorancës mbi sondazhet për korrupsionin në vendNga TemaKjo nuk është hera e parë që qeveria Berisha mban qëndrime qesharake dhe joserioze për sa i përket çështjes së korrupsionit dhe sondazheve që publikojnë institucione të
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Qëndrimet qesharake të mazhorancës mbi sondazhet për korrupsionin në vendNga TemaKjo nuk është hera e parë që qeveria Berisha mban qëndrime qesharake dhe joserioze për sa i përket çështjes së korrupsionit dhe sondazheve që publikojnë institucione të ndryshme për të. Paturpësisht asnjëherë ajo nuk ka marrë përgjegjësitë përsipër dhe të tregojë se çfarë po çalon në këtë drejtim dhe përse po lëngon kaq gjatë vendi ynë.
Kështu, gjatë një interviste në prill të vitit të kaluar për emisionin HardTalk të BBC, Berisha u shfaq i acaruar, kur u pyet për çështjen e korrupsionit. Duke folur pikërisht për studimin e Transparency International, Berisha tha se ai tregon thjesht një perceptim. Më tej ai u përpoq të tregojë se ishte munduar t’ua mbushte vetë mendjen përfaqësuesve të Transparency International se gjërat nuk janë ashtu siç janë raportuar nga të paktën gjashtë organizma të tjerë, të cilëve u merret mendim për korrupsionin në vendin tonë.
“Unë kam pasur një takim me përfaqësues të organizatës Transparency International gjatë vizitës së tyre në Shqipëri. Transparency International punon me perceptimin. Unë jam shumë i kënaqur që ata bënë këtë vizitë në Shqipëri. Unë i njoha ata me të gjitha rezultatet dhe me reformat që po ndërmarrim në vazhdim. Ne tashmë jemi një vend që aplikojmë prokurimet elektronike dhe ku kostoja e përgjithshme e prokurimeve është reduktuar me 20 %”, - tha Berisha.
Dhe i pyetur se si i përgjigjet faktit se 71% e të pyeturve kanë dhënë ryshfet për shërbime, Berisha tha: “Është shumë më i vogël. Ky është vetëm perceptim”.
Por disa muaj më vonë, kur Transparency International bëri publikimin e radhës, Berisha u shfaq entuziast dhe me superlativa për këtë organizatë.
“TI është organizata më prestigjioze në botë për vlerësimin e luftës kundër korrupsionit dhe indeksi i saj është indeksi më serioz dhe më i besueshëm në botë që bazohet në një seri vlerësimesh. TI shpalli Shqipërinë në grupin e 10 vendeve me përpjekjet më serioze dhe rezultatet më konkrete në luftën kundër korrupsionit për vitin 2008. Raporti shpalli se qeveria shqiptare është kampione në përpjekjet në luftën kundër korrupsionit në vendin e saj”, - tha Berisha në shtator të vitit që shkoi.
Por qëndrimet qesharake vijuan dhe më tej, kur organizata IDRA publikoi një sondazh me financimin e USAID, ku thuhej se qeveria Berisha kishte arritur qeverinë Nano për sa i përket korrupsionit. Qeveria e quajti atë një sondazh të njëanshëm.
“Sot, USAID ka publikuar një sondazh, realizuar nga organizata IDRA, e cila, megjithëse e njohur për anësimin politik, konfirmon edhe njëherë rezultatet pozitive të reformave të qeverisë Berisha në luftën kundër korrupsionit”, - tha zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu.
Edhe kjo e fundit përsëriti atë që tha dje zëdhënësja e PD, se është Rama që po bën korrupsion në vend.
“Më lejoni t’ju kujtoj që në një studim të Bankës Botërore, zhvilluar në të njëjtën periudhë me studimin që publikohet sot, Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj listohen në vendin e 178 në botë për korrupsionin”, - tha Bregu.
Si për ironi, disa gazetarë u kujtuan të pyesin dje “të ndryshmin” e mazhorancës së djathtë. Zëvendëskryeministri, Ilir Meta, dha një përgjigje pak më të ndryshme. Ai përsëriti atë që Berisha kishte thënë, kur mori mandatin në vitin 2005. Që do fitohej beteja me korrupsionin.
PD: Arsyeja pse jemi të parët për korrupsion quhet Edi Rama
Partia Demokratike bëri të ditur dje se shkaktar për rritjen e korrupsionit në vend është kryetari i opozitës, Edi Rama. Sipas zëdhënëses së Partisë Demokratike, ai ka bllokuar lejet e ndërtimit dhe kjo ka bërë që vendi ynë të renditet më keq se vitin që shkoi.
“Sot Transparency International botoi raportin për indeksin e perceptimit të korrupsionit në Shqipëri për vitin 2009.
Konstatohet se Shqipëria ka një rënie në krahasim me vitin e kaluar.
Informojmë shqiptarët se shkaku kryesor i kësaj rënieje qëndron në:
Qytezën Rama-Delijorgji me 51 pallate; në praktikën më korruptive në planet të dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës për vitin 2008 ku Rama me Eftimin dhe Shkrelin e vet mori 70% të lejeve të ndërtimit; qëndron në procedurën e stërzgjatur dhe tejet korruptive të marrjes së lejeve në Tiranë, për të cilin Edi Rama renditet i 173 në botë me afatin rekord 399 ditë.
Këtu qëndron dhe shkaku kryesor i uljes së pikëve, mbasi lejet e ndërtimit në vlerësimin e korrupsionit kanë peshën specifike më të lartë se të gjitha proceset e tjera”, - bëri të ditur zëdhënësja e PD.
Ajo tha se, pasi të zgjidhet kjo çështje, Shqipëria do bëjë hapa shumë të mëdhenj përpara.
“Fatmirësisht kjo praktikë korruptive merr fund dhe Shqipëria do të ngjisë me shpejtësi shkallët e suksesit, mbasi në muajt e ardhshëm hyn në fuqi “Ligji i ri i Urbanistikës” që përcakton afatin 45-ditor për dhënien e një leje dhe parimin “heshtja është miratim”.
Kështu do të bjerë në këtë mënyrë kështjella e fundit e korrupsionit në Shqipëri, që është Bashkia e Tiranës”, - tha zëdhënësja e PD.
PS: Kjo është Shqipëria e Saliut, Shkëlzenit, Argitës, Fazlliçit, Delijorgjit, Rrahmanit, Bashës, Olldashit, Mediut, Balliut
Partia Socialiste komentoi dje raportin e Transparency International për përhapjen e korrupsionit. Deputeti Saimir Tahiri tha se, ne jemi vendi më i korruptuar ndër vendet anëtare të NATO-s.
Tahiri shtoi se në vend po bëhet korrupsion elitar.
“Raporti i Transparency International mbi Indeksin e Korrupsionit në Shqipëri vërteton shqetësimet e vazhdueshme të shprehura nga media, opinioni publik, organizatat e shoqërisë civile, nga partnerët tanë ndërkombëtarë e po kështu nga Partia Socialiste mbi përhapjen dramatike të korrupsionit në vendin tonë dhe pamundësinë, paaftësinë e mungesën e vullnetit të qeverisë së Sali Berishës për ta luftuar atë.
Raporti e rendit Shqipërinë në vendin e 95-të, plot 10 vende më poshtë se 1 vit më parë. Të parafundit në Ballkan, e të fundit nga vendet anëtare të NATO-s”, - tha Tahiri.
“Pra Shqipëria e Saliut, Shkëlzenit, Argitës, Fazlliçit, Delijorgjit, Rrahmanit, Lulzim Bashës, Sokol Olldashit, Fatmir Mediut, Fahri Balliut, dhe e tufës mafioze që sot qeveris në Republikën Personale e Familjare të Sali Berishës, ka degraduar në spiralen e rrezikshme të korrupsionit elitar, për shkak të atyre që sot gjenden të veshur me imunitetin familjar, ministror e parlamentar e që komandohen e mbrohen prej Sali Berishës, duke e renditur turpshëm vendin tonë të fundit të familjes evropiane e duke lënë pas vetëm vende të tilla si Liberia, Senegali, Tongo, Zambia, Gaboni, Nigeria, Djibuti, Togo, Etiopia, Kazakistani, Vietnami, Siria, Tanzania, Libani, Nikaragua, Uganda, Bangladeshi, Pakistani, Kenia, Zimbabve, Kamboxhia, Burundi, Irani, Iraku, Somalia, e plot vende të tjera në luftë apo konflikte civile që zgjasin prej dekadash”, - vijoi më tej ai.
Deputeti socialist tha se kjo qeveri po skalit kulturën e pandëshkueshmërisë.
“Abuzimi me pushtetin, me financat shtetërore, me emërimet politike e partizane në administratën publike, cenimi i institucioneve të pavarura, veçanërisht të institucioneve që duhet të hetojnë dhe japin drejtësi për veprat korruptive të kësaj mazhorance, si dhe tendenca për nënshtrimin e tyre ndaj qeverisë familjare të Sali Berishës, shoqëruar me varfërinë e skajshme dhe mungesën e shpresës për një të ardhme më të mirë, kanë kontribuar për përhapjen e korrupsionit në vend, si dhe kapjen e shtetit nga korrupsionin personal, familjar e klientelist të Sali Berishës e sejmenëve të tij”, - tha Tahiri.