Miqësore me kushte?
FIFA tashmë ka konfirmuar se vendimi i saj për ta lejuar përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare nuk do të anulohet, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të Serbisë dhe UEFA-s.
Por, presidenti i shtëpisë së futbollit botëror, Sepp Blatter ka pohuar se në mbledhjen e 29 qershorit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, do të vendoset për modalitetet e implementimit të këtij vendimi.
Pra, pritet që FIFA t’ia qesë disa kushte Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) se në çfarë mënyre t’ia organizojë ndeshjet reprezentacionit kosovar.
Por, shtrohet pyetja se çfarë lloj kushtesh do të obligohet FFK-ja t’i përmbushë gjatë proceseve të organizimeve të miqësoreve të ardhshme për përfaqësuesen e saj.
Në fakt, ato mund të jenë nga më të ndryshmet, por disa kushte eventuale janë tepër të disfavorshme për kosovarët, saqë edhe mund t’ua humbin rëndësinë e zhvillimit të ndeshjeve të ardhshme miqësore të ekipit që udhëhiqet nga selektori Albert Bunjaku.
Kushte të tilla aspak të mira për vendin tonë mund të jenë që përfaqësuesja e kosovare ndeshjet mos t’i zhvillojë brenda territorit të Kosovës, sepse në këtë mënyrë FIFA do të mundohet t’i bind kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, se vendimi i saj i marrë për Kosovën nuk nënkupton se e ka njohur shtetin tonë. Madje, FIFA mund ta kushtëzojë FFK-në që në ndeshje miqësore përfaqësuesja e Kosovës të paraqitet pa simbole shtetërore, ashtu sikurse FIBA që e ka udhëzuar Federatën e Basketbollit të Kosovës.
Kështu mendon edhe njohësi i mirë i futbollit kosovar, Bylbyl Sokoli. Madje, strategu i njohur i frikësohet një kusht tjetër. Keq do të ishte sikur FIFA të vendoste që ndeshjet e reprezentacionit kosovar mos t’i vlerësonte fare nëpërmjet ranglistës që e publikon çdo muaj.
“Kushtet eventuale mund të jenë që ne të luajmë pa simbole shtetërore, atëherë edhe jashtë territorit tonë, e po ashtu mos të futeshim në ranglistën e FIFA-s. Kjo e fundit do të ishte më e keqja, sepse më pas mund ta kemi shumë të vështirë për të gjetur kundërshtarë”, thotë ai.
“Por unë shpresoj që FIFA nuk do ta bëjë këtë, sepse atëherë për mua do të ishte e pakuptueshme pse na u dha leja për të luajtur. FFK-ja dhe të gjithë ne, si shtet, duhet të japim maksimumin që ta bindim FIFA-n se ne nuk meritojmë të na vihen eventualisht kushte të tilla”, shtoi Sokoli.
Në anën tjetër, në FFK thonë se nuk kanë marrë sinjale nga FIFA se mund të kushtëzohen diçka ngjashëm. “Këto do të ishin më shumë çështje politike. FIFA nuk merret me politikë, por me futboll. Andaj, nuk besoj se do të kushtëzohemi me kësi çështjesh që më shumë kanë të bëjnë me politikë sesa me sport. Unë konsideroj se kushtet më shumë do t’u përkasin çështjeve organizative, si ato të masave të sigurisë, e ngjashëm”, tha nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu.
“Por, pavarësisht atyre, më e rëndësishmja është që FIFA e lejoi përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore dhe konfirmoi se vendimin nuk do ta kthejë prapa, sepse nuk bie në ndikim të politikës, por i shërben zhvillimit dhe të mirës së futbollit”, shtoi ai.
Vendimi i FIFA-s që ta lejojë Kosovën të zhvillojë miqësore pati ngjallur reagim të ashpër në Serbi, së cilës në mbrojtje i doli edhe UEFA. Por, megjithatë kreu i FIFA-s, Sepp Blatter ishte i prerë, duke konfirmuar se vendimi i kësaj organizate për Kosovën është i pakthyeshëm dhe se hapi i ardhshëm i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s do të jetë modaliteti i implementimit të vendimit.