E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqësorja me Kilin? FSHF hesht!

SHKRUAN: Jeton Selimi 03-03-2011 11:24

Ndonëse një ditë më parë kishte bërë bujë lajmi i publikuar nga mediat kiliane se Shqipëria dhe Kili do të zhvillonin një takim miqësor në Tiranë në muajin mars, madje duke përcaktuar deri në detaje edhe shpenzimet e udhëtimit, dje në federatë të gjithë i bënin bisht këtij argumenti. Askush nuk kthente një përgjigje, por çonin supet duke i adresuar mediat drejt sekretarit Prodani, ndërsa ky i fundit nuk konfirmoi asgjë konkrete, por vetëm tregoi procedurën e ndjekur. “Kemi kontaktuar një kompani për organizimin e një miqësoreje. Dimë se është biseduar me Kilin, por nuk ka asgjë përfundimtare”, deklaroi Prodani. Arsyet e moskonfirmimit nga ana e FSHF-së janë si pasojë e pritjes së ndonjë kundërshtari tjetër, çka do t’i evitonte federatës kostot e shumta që duhet të përballojë, përfshirë edhe 50 mijë euro biletat e udhëtimit (vajtje-ardhje) nga Portugalia në Tiranë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›