Miqtë e Sirisë, mblidhen në Doha
Ministrat e jashtëm të grupit Miqtë e Sirisë do të takohen të shtunën në Katar, për të diskutuar mbështetjen për rebelët sirianë, të cilët luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.
Diplomatët kanë thënë se ministrat e 11 vendeve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, shtetet evropiane dhe aleatët rajonalë, do të ndjekin takimin në Doha.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki ka thënë se ministrat do të flasin për mbështetjen e opozitës siriane dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje për konfliktin dyvjeçar.
Diplomatët francezë janë cituar të kenë thënë se Miqtë e Sirisë do të diskutojnë kërkesën e rebelëve për armë.