E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mira e Mujsi”, opera e ndaluar e Harapit në skenën e TKOB-së

SHKRUAN: Aida Tuci 11-07-2011 11:34

Në repertorin e kompozitorit të njohur Tonin Harapi është dhe opera me tre akte “Mira prej Mujsit” (ose “Mira vajza e Mujit”), një opera që ka mbetur në letër dhe nuk është vënë në skenë. Por kjo vepër e panjohur për publikun, e kompozitorit Tonin Harapi, do të ngjitet për herë të parë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit sezonin e ardhshëm. Opera e shkruar në vitin 1983-1984 nuk u ekzekutua kurrë për shkak të vetë kompozitorit Tonin Harapo por dhe libretit të shkruar prej dramaturgut Misto Marko, nip i Mitrush Kutelit. Marko ishte mjek në profesion, por në dramaturgji shkruante me pseudonimin Mirosh Markaj dhe në art njihet pikërisht me këtë emër. Mirosh Markaj ishte nipi i Mitrush Kutelit dhe mik i afërt me Lasgush Poradecin. Dramaturgu shkroi në atë periudhë një sërë veprash, mes tyre dhe libretin e operas “Zgjimi”, ku sërish bashkëpunoi me kompozitorin Tonin Harapi. Por opera “Zgjimi” nuk pati fatin e operas “Mira prej Mujsit”. Ajo u vu në skenën shqiptare dhe pati mjaft sukses, ndërsa opera “Mira e Mujsit” e cila u shkrua vite më vonë nuk arriti të shihte dritat e skenës, për shkak të përndjekjes së momentit që po u bëhej dy autorëve të saj. Opera do të vihet në skenë me rastin e 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit Tonin Harapi. Tonin Harapi studioi kompozicion në Moskë. Mësues i kompozicionit në Konservatorin e Tiranës. Fitues i shumë titujve e çmimeve. Shkroi “Kufitarët” (melodramë për fëmijë, 1953), “Mësimi i pyllit” (Operetë për fëmijë, 1953), “Djali guximtar” (përrallë për fëmijë, 1955), “Zgjimi” (opera); 19 romanca të kompozuara përpara vitit 1979, Instrumente dhe orkestër, Muzikë dhome etj.. Ndërroi jetë më 30 korrik 1992. Pas vdekjes iu dha titulli “Artist i Popullit”. Ai lëvroi pothuajse të gjitha zhanret e muzikës, këngë argëtuese, këngë për fëmijë, muzikën klasike, simfonike dhe skenike, operën, operetën, shkroi vepra korale, romanca, por edhe këngë popullore të përpunuara. Por gjithnjë gjatë karrierës së tij një “njollë në biografi” i rrinte çekan mbi kokë. Bëhet fjalë për faktin që Tonin Harapi u formua në një shkollë fetare, të cilën pushtetarët komunistë e quanin “çerdhe e reaksionit katolik”, pikërisht në shkollën e françeskanëve në Shkodër, shtoi kësaj dhe faktin që babai i tij Lec Harapi u arrestua dhe u dënua me pesë vjet heqje lirie. E nën drejtimin e Kol Jakovës, Tonini si pjesëtar i korit françeskan, kishte marrë mësime të teorisë së muzikës, solfezhit, mësoi prej tij klarinetën. Por jo më pak u persekutua nga regjimi edhe bashkëpunëtori i tij dramaturgu Mirosh Markaj. Ai u lind në Pogradec në vitin 1926 dhe kreu studimet e larta në Bukuresht, për mjekësi. Ushtroi profesionin e mjekut në Pogradec dhe krahas saj edhe shkruante publicistikë, madje dhe poezi. Shkroi disa drama si “Pushtonjësit”, “Nata e prasme e verës” si dhe triologjinë “Gjegj Kastrioti”, një vepër dramatike në vargje që e shkroi në vitin 1968. Ndërsa shkroi librete për dy operat “Zgjimi” dhe “Mira prej Mujsit”, ku të dyja u kompozuan nga Tonin Harapi. U nda nga jeta pak kohë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›