E Diel, 1 Nëntor 2026

Miraka: Zgjidhje 23 mijë dosjeve të ish-të përndjekurve

Intervistë me kreun e Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, z. Simon Miraka

Në katin e parë të godinës së vjetër të Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë përballë Parlamentit, çdo ditë të javës me dhjetëra ish-të përndjekur politikë zënë radhën në sportelin e saj. Ata plotësojnë dokumentacionin për të tërhequr dëmshpërblimin e viteve të burgut. Kreu i këtij instituti, z. Simon Miraka, tregon për standard se pranë komisionit në Ministrinë e Drejtësisë që merret me shqyrtimin e dosjeve, janë të regjistruara përafërsisht njëzet e tri mijë dosje. Ai bën të ditur se deri në këto momente, numri i personave që kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit, është 5500 persona. Sipas z. Miraka, të internuarit e periudhës 45-54 dhe të pushkatuarit pa gjyq do të fitojnë dëmshpërblimin sapo të përfundojë kësti i parë për ish-të burgosurit politikë dhe të pushkatuarit me gjyq. Por, z. Miraka ka rezerva për ligjin, kur bëhet fjalë për nenin 64 apo 67, që disa të burgosurve u ka përgjysmuar vitet e burgut. Ky nen është neni i terrorizmit. Simon Miraka ka argumentet e veta kundërshtuese. Së bashku me përfaqësitë e shoqatave kemi bërë takim me ministrin e Drejtësisë, z. Nishani, i cili na premtoi shfuqizimin e këtij neni. Është absurditet të përfshihen në nenin e terrorizmit ata që kërkuan e u sakrifikuan për shembjen e diktaturës, - thotë z. Miraka. Për sa i përket ligjit të lustracionit, ai bën të qartë se ish-të përndjekurit nuk do të reshtin së kërkuari në mënyrë demokratike zbatimin e ligjit. Këtë ata e shohin si një domosdoshmëri...

Z. Miraka, përse gjithë këta njerëz në katin e parë të godinës? Çfarë presin në radhë?

Ministria e Financës, për tu ardhur në ndihmë ish-të përndjekurve, që veprimet për të marrë dëmshpërblimin të kryhen shpejt, ka krijuar një drejtori të veçantë. Personat që gjejnë emrin në listat e nxjerra nga Ministria e Drejtësisë, dorëzojnë pranë sektorit përkatës dokumentet.

Konkretisht, çfarë dokumentacioni?

Ata duhet të dorëzojnë: 1. Numrin e llogarisë të shoqëruar me fotokopjen e pasaportë apo kartës së identitetit. 2. Trashëgimtarët duhet të paraqesin aktin e trashëgimisë.

3. Certifikatën e vdekjes të personit të dënuar. 4. Certifikatën e trungut familjar dhe prokurën në rast se trashëgimtarët ia kalojnë lekët një personi të familjes për të tërhequr dëmshpërblimin ose në të kundërt secili trashëgimtar hap numrin e llogarisë në vete dhe e shoqëron me fotokopjen e kartës së identitetit. Kjo është arsyeja që ka kaq shumë njerëz në katin e parë.

Si po ecën dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politike? Sa është numri i dosjeve dhe sa persona kanë marrë deri tani dëmshpërblimin?

Siç jeni në dijeni dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve ka filluar në muajin mars të 2009-s, kjo e parashikuar në ligjin e dëmshpërblimit. Pranë komisionit në Ministrinë e Drejtësisë që merret me shqyrtimin e dosjeve janë të regjistruara përafërsisht njëzet e tri mijë dosje. Deri në këto momente numri i personave që kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit, është 5500 persona. Duke marrë parasysh numrin e madh të dosjeve të regjistruara me numrin e atyre që kanë marrë, diferenca është e madhe. Me predispozicionin që ka qeveria për të realizuar premtimin e dhënë që dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë të përfundojë brenda tetë vjetëve, besoj se në të ardhmen e afërt ritmet do jenë më të shpejta.

Kur do të fillojnë të marrin dëmshpërblimin ish-të internuarit dhe të pushkatuarit pa gjyq që ligji i ka përfshirë këtë kategori?

Të internuarit e periudhës 45-54 dhe të pushkatuarit pa gjyq do të fillojnë dëmshpërblimin sapo të përfundojë kësti i parë për ish-të burgosurit politikë dhe të pushkatuarit me gjyq.

Ish-të burgosurit politikë a e kanë marrë dëmshpërblimin për të gjitha vitet e burgut të kryer apo ka nene përjashtuese?

Në ligjin e dëmshpërblimit është neni 64 apo 67 që disa të burgosur u ka përgjysmuar vitet e burgut. Ky nen është neni i terrorizmit. Se çfarë terrori mund të ketë bërë një i burgosur politik, unë nuk mund ta kuptoj. Si mund të quhen terroristë ata që shpërthyen burgun famëkeq të Burrelit, që sfiduan vdekjen për të kërkuar lirinë si Adem Allci, Dhori Gernjoti, Sazan Hadëri që mbeti i vrarë? Si mund të quhen terroristë heronjtë e kryengritjes së Qafë-Barit, si Sokol Zef Sokoli, Tom Ndoja, Sandër Sokoli e qindra të tjerë që u torturuan e u ridënuan? Këta janë dëshmorët e lirisë. Së bashku me përfaqësitë e shoqatave kemi bërë takim me ministrin e Drejtësisë, z. Nishani, i cili na premtoi shfuqizimin e këtij neni. Është absurditet të përfshihen në nenin e terrorizmit ata që kërkuan e u sakrifikuan për shembjen e diktaturës.

Tashmë që është miratuar Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, si do të funksionojë dhe a është menduar si hakmarrje ngritja e tij?

Ligji për ngritjen e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit është aprovuar në Parlament, është dekretuar edhe nga Presidenti i Republikës. Ky institut do të drejtohet nga një bord prej shtatë vetësh edhe ata të miratuar në Kuvend .Qëllimi i ngritjes është të studiohen shkaqet e ardhjes, plagët që shkaktoi në të gjithë fushat, humbjet njerëzore. Nëpërmjet fakteve ti bëhet me dije brezit të ri ja çfarë ishte komunizmi. Nuk ka asnjë qëllim hakmarrjeje. I vetmi qëllim është të shkëputemi njëherë e mirë nga e kaluara.

Gjykata Kushtetute e ka rrëzuar ligjin e lustracionit. A do të merren iniciativa nga ju dhe shoqatat e ish-të përndjekurve për zbatimin e tij?

Sigurisht, ne nuk do të reshtim së kërkuari në mënyrë demokratike zbatimin e këtij ligji. Ne e shohim si një domosdoshmëri. Gjykatat duhet të pastrohen nga ish-gjyqtarët e diktaturës komuniste, po kështu prokuroria, Shërbimi Informativ Shtetëror. Kemi njëzet vjet në demokraci, kemi të rinj që kanë mbaruar jashtë dhe brenda të cilët kanë një filozofi tjetër, kanë një vizion tjetër, atë evropian. Administrata, ka ardhur koha që të pastrohet nga bashkëpunëtorët e Sigurimit. Jemi të vonuar, por me mirë vonë se kurrë. Të gjitha shtetet postkomuniste e kanë zbatuar ligjin e lustracionit.  

Parlamenti rrëzoi dy dekrete të Presidentit për në Gjykatën e Lartë. Cili është komenti juaj?

Mendoj se institucioni i Presidencës ka gabuar në përzgjedhje. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur. Në momentin e mbështetjes politike, ai e humbet pavarësinë. Nuk dua të ndërhyj në shijet e Presidentit, por nuk mund ta kuptoj dekretimin nga ana e tij të emrave që janë të implikuar në dënime politike gjatë regjimit diktatorial.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›