E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen 7,4 milionë fletë votimi, ja ndarja sipas bashkive

SHKRUAN: Fejzi Braushi 18-04-2011 13:28

Për zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të prodhojë 7 milionë e 446 fletë votimi. KQZ ka miratuar dje me votat e të gjithë anëtarëve, por me dyshimet e përfaqësuesve të opozitës, për burimin e të dhënave të listave të zgjedhësve, sasinë e fletëve të votimit për çdo njësi vendore. Bashkia e Tiranës zë vendin e parë për numrin e zgjedhësve, me 484 mijë zgjedhës, të cilët do të votojnë në katër fletë votimi, dy për bashkinë e madhe dhe dy për njësinë përkatëse bashkiake.

Fletët

Ndërsa procesi i prodhimit të fletës së votimit është bllokuar, për shkak të vendimmarrjes së pritshme të Kolegjit Zgjedhor lidhur me ankimimin që ka bërë Partia Socialiste, KQZ ka nxituar që të plotësojë elementët e tjerë të vendimmarrjes që ka të bëjë me këtë çështje. Bazuar në të dhënat e sjella nga krerët e njësive vendore, por edhe nga prefektët e qarqeve, KQZ ka bërë detajimin për çdo njësi zgjedhore, duke përcaktuar numrin e zgjedhësve për çdo qendër votimi, si dhe fletët përkatëse për kryetar dhe anëtarë të këshillave bashkiak apo komunal. Por pikërisht fakti që të dhënat nuk kanë ardhur në KQZ, të gjitha nga drejtuesit aktualë të njësive vendore, por edhe nga prefektët, ka bërë që përfaqësuesit socialistë të ngrenë dje, gjatë mbledhjes së KQZ-së, dyshime mbi bazën e të dhënave të siguruara me këtë rast, ndërsa kanë kërkuar shpjegime për zbatimin e ligjit lidhur me këtë pikë. “Fakti që afro 50 % e të dhënave nuk janë marrë direkt nga krerët e njësive vendore, që e kanë dhe për detyrë, por nga prefektët, nuk mund të kalojë pa një diskutim serioz nga ana e KQZ-së, pasi bëhet fjalë për një çështje që deri më tani ka hapur jo pak debat dhe që mund të ndikojë direkt në proces”, - tha përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj. Lidhur me këtë shqetësim, drejtori i teknologjisë në KQZ, i cili është marrë dhe me procesin e përllogaritjes së të dhënave të ardhura nga pushteti vendor për këtë çështje, ka theksuar se kanë qenë të detyruar të kërkojnë ndihmën e prefektëve, pasi gati 50 % e krerëve të njësive vendore nuk e kanë zbatuar detyrimin ligjor për të sjellë të dhënat në kohë. Ndërkohë që socialistët dhe përfaqësuesja e PBDNJ-së kanë ngritur edhe shqetësime të tjera, përsa i përket numrit të zgjedhësve në njësinë nr.6 në Kombinat si dhe në Himarë.

Numri

Në total, KQZ ka miratuar 7.446.294 copë fletë votimit për 3166.146 zgjedhës në të gjithë vendin. Për të përcaktuar numrin e fletëve të votimit, KQZ ka marrë parasysh numrin e zgjedhësve, i cili shumëzohet me dy (fletë për kreun e njësisë vendore dhe fletë votimi për këshillin) plus 2 për qind më shumë fletë rezervë që përcakton ligji. Ndërkohë, që kësaj shifre i shtohen dhe rreth 1 milionë fletë të tjera shtesë për Tiranën, e cila përveç fletëve për kryetar bashkie dhe këshillin bashkiak, duhet të votojë edhe me dy fletë të tjera votimi shtesë, për kreun e njësisë minibashkiake dhe këshillin e saj. Por pavarësisht përcaktimit të numrit të fletëve, ky vendim pritet të ketë efekt nul, përsa kohë çështja e fletës së votimit është në Gjykatë të Apelit. Ndërkohë vendimi i miratuar dje nga KQZ pasqyron dhe numrin e detajuar të zgjedhësve për çdo njësi, ku pas Tiranës, njësia më e madhe vendore është ajo e Durrësit, me 152 mijë zgjedhës dhe më pas vjen Vlora, me 102 mijë zgjedhës.

Numri i zgjedhësve për njesitë kryesore

Bashkia Berat 48878 zgjedhës

Bashkia Durrës 152205

Bashkia Elbasan 93803

Bashkia Fier 67380

Bashkia Lushnje 41137

Bashkia Korçë 70170

Bashkia Shkodër 86493

Bashkia Kamës 54311

Bashkia Vlorë 102890

Bashkia Tiranë 483998

Njësia Bashkiake 1 38456

Njësia Bashkiake 2 58641

Njësia Bashkiake 3 34363

Njësia Bashkiake 4 46901

Njësia Bashkiake 5 62255

Njësia Bashkiake 6 47431

Njësia Bashkiake 7 51203

Njësia Bashkiake 8 31531

Njësia Bashkiake 9 44490

Njësia Bashkiake 10 22803

Njësia Bashkiake 11 45924

Kolegji, sot vendimi për siglat e partive në fletën e Tiranës

Kolegji Zgjedhor do të përcaktojë sot fatin e zgjedhjeve të 8 majit, i cili duket se tashmë varet direkt nga prodhimi i fletës së votimit. Kolegji i Gjykatës së Apelit pritet të shpallë sot paradite vendimin për dy kërkesa të paraqitura nga Partia Socialiste, lidhur me fletën e votimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe fletën e votimit për anëtarë të këshillit të saj. Nëpërmjet kërkesës së parë, PS konkteston vendimin e KQZ për përcaktimin e specifikimeve të fletës së votimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, ku kandidatit të opozitës, Edi Rama, nuk ju lejua që të vendoseshin në fletë edhe siglat e partive që janë pjesë e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”. Ndërkohë që kërkesa e dytë ka të bëjë me renditjen e koalicioneve në fletën e votimit për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. PS konteston pikërisht vendimin e KQZ-së, për të renditur të parin në fletën e votimit, koalicionin e mazhorancës “Aleanca për Qytetarin”, duke pretenduar se në bazë të rendit alfabetik, koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” duhet të ishte i pari. Trupa gjykuese mundi t’i merrte në shqyrtim që të shtunën këto dy çështje, por shtyu vendimmarrjen për ditën e sotme. Kjo solli reagimin e ashpër të KQZ, i cili paralajmëroi se këto vonesa po fusin në rrezik gjithë procesin zgjedhor, pasi koha për të prodhuar fletën e votimit po kufizohet së tepërmi. Vendimmarrja e sotme natyrisht do të ketë vlerë për të gjithë vendin, pasi në rast të një vendimmarrje pozitive të Kolegjit, në favor të kërkesës së PS-së, atëherë KQZ do të duhej të ndryshonte vendimin, çka mund të hante sërish kohë, pasi për të prodhuar fletën e votimit duhet të priste afatet që parashikon Kodi për ankimimet. Nga ana tjetër, në rast se Kolegji do ta konsiderojë ligjore vendimarrjen e KQZ-së, atëherë kjo do t’i hapte rrugë vijimit të procesit të miratimit të fletëve për të gjitha njësitë në të gjithë vendin, si dhe prodhimit të saj. Faktikisht, vendimmarrja e sotme e Kolegjit mund të ndikohet edhe nga vendimi i shpallur të shtunën prej kësaj gjykate, përsa i përket vendimit të KQZ-së për modelin e fletës së votimit, duke e konsideruar vendimmarrjen e këtij komisioni si jo ligjore, për shkak të numrit të votave me të cilin ishte miratuar.

Procesverbalet e numërimit në dy kuti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndryshon procedurën e administrimit të procesverbalit, për mbylljen dhe hapjen e kutive të votimit, gjatë zgjedhjeve vendore të 8 majit. Tashmë, sipas këtij ndryshimi, bëhet e mundur që në rastet e ankimimeve nga subjekte të ndryshme, për procesin e votimit apo numërimit të votave, për një njësi të veçantë të mos hapen të dyja kutitë, si ajo për këshillin, ashtu edhe ajo për kandidatin. Për të evituar këtë, KQZ me anë të vendimmarrjes së djeshme ka parashikuar që në këto zgjedhje të punohet me dy kopje procesverbalesh, njëri do të futet në kutinë e votimit për kryetar njësie dhe tjetri në kutinë për anëtarë të Këshillit. “Ligji parashikon që të hartohet një proceverbal për hapjen e procesit të votimit, ku shënohen vulat e kutitës dhe që futet në kutinë e votimit të subjekteve. Kjo që ne kërkojmë bën të mundur që të plotësojmë disa diskordanca që ka Kodi. Numërimi i fletëve fillon me kutitë e kandidatitit, ndërkohë që proceverbali është në kutinë e votimit për subjektet. Prandaj ne vendosim që procesverbali të futet dhe te kutia e kandidatit. Pra të bëjmë dy kopje dhe në këtë mënyrë, ne bëjmë të mundur që kur të kemi rast për të ankimuar kutinë e kandidatit, të mos hapim edhe atë të këshillit. Pra ne propozojmë që i njëjti dokument të futet në dy kuti”, - tha drejtoresha që merret me komisionet e qendrave të votimit në KQZ gjatë mbledhjes së djeshme. Por pavarësisht përmbajtjes së këtij vendimi, KQZ ka debatuar ashpër lidhur me formën e tij, pasi socialistët e kanë konsideruar atë si një akt nënligjor, që për t’u miratuar kërkon 5 vota dhe jo 4 vota. Për këtë është debatuar gjatë, çka ka sjellë si pasojë dhe largimin demonstrativ të nënkryetares së KQZ-së nga mbledhja. Pavarësisht largimit të saj, KQZ i ka ndryshuar emrin propozimit, duke e konsideruar akt dhe e ka miratuar me 5 vota duke marrë dhe votën e Artan Lazajt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›