Miratohen fonde për rindërtimin dhe riforcimin e banesave në Kurbin e Shijak

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar përdorimin e Fondit të Rindërtimit për financimin e rindërtimit dhe riforcimit të banesave individuale të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore në bashkitë Kurbin dhe Shijak.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 418 097 430 lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte, që duhen rindërtuar nga e para, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Kurbin dhe Shijak.
Bashkisë Kurbin i transferohet fondi në masën 407 196 804 lekë pa TVSH dhe bashkisë Shijak i transferohet fondi në masën 10 900 626 lekë pa TVSH. Efekti financiar do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, të cilat u transferohen bashkive Kurbin dhe Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.Gjithashtu Këshilli i Ministrave miratoi përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 57 478 717, 28 lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Kurbin e Shijak.
Bashkisë Kurbin i transferohet fondi në masën 43 220 255, 28 lekë pa TVSH; bashkisë Shijak i transferohet fondi, në masën 14 258 462 lekë pa TVSH. Efekti financiar do të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, dhe u transferohet bashkive Kurbin e Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar. Për zbatimin e këtyre vendimeve ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë Kurbin e Shijak për zbatimin e këtij vendimi. Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /k.s/j.p