E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen me 71 vota 2 ministrat, Idrizi bojkot votimit në Kuvend

SHKRUAN: Fejzi Braushi 22-07-2011 11:33

Eduard Halimi dhe Aldo Bumçi janë tashmë anëtarë të kabinetit të ri qeveritar. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dje dekretet e Presidentit të Republikës për të emëruar Eduard Halimin si ministër të Drejtësisë dhe Aldo Bumçin si ministër të Kulturës. Të dy ministrat e rinj kanë marrë nga 71 vota. Ndërkohë maxhoranca nuk e ka pasur dje të lehtë dje për të arritur kuorumin e nevojshëm që votimi të ishte i ligjshëm (duhen 71 deputetë të pranishëm në sallë) . Normalisht mazhoranca ka 74 vota, por dje shkak i vështirësisë kanë qenë tre mungesat e deputetëve pjesë e mazhorancës, Gëzim Dibra, Vangjel Tavo dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Mungesa e këtij të fundit duket se ka qenë jo e rastësishme për shkak të hatërmbetjeve që sollën negociatat për ndryshimin e qeverisë, ku PDIU sërish nuk u bë pjesë. Megjithatë për të mos rrezikuar mazhorancën, PDIU ka çuar dje në seancë deputetin tjetër Dashamir Tahiri. Ky vendim sipas burimeve nga maxhoranca ka ardhur pas negociatave mes dy partive me qëllimin mosdështimin e seancës, ku përveç dy ministrave duhej të miratohej dhe Paketa e re Fiskale.

Duket se bsedimet kanë qenë deri diku të frytshme, pasi Tahiri ishte në seancë. Burimet shtuan se tërheqja përgjysëm e PDIU erdhi pas premtimit për përfshirje në kabinet të kësaj partie në riformatimin e ardhshëm të qeverisë që pritet të bëhet në vjeshtë.

Dekretimi

Ndryshe nga pritshmëritë, kreu i shtetit, Bamir Topi, nuk ka pranuar të bëhet pjesë e “lojës së kokëfortësisë” me mazhorancën dhe në momentet e fundit vetëm pak çaste para se të niste seanca e djeshme ka hedhur firmat mbi dy propozimet e paraqitura nga kryeministri Berisha vetëm tri ditë më parë për anëtarë të qeverisë. Lëvizje kjo që ka shmangur acarimin e situatës, ndërsa ka çliruar në të njëjtën kohë dhe veprimtarinë e djeshme të Kuvendit, i cili ishte në pritje të dekreteve të Presidentit për të përmbyllur bashkë me to dhe sesionin parlamentar. Menjëherë sapo Presidenca ka publikuar në faqe lajmin e dekretimit të dy ministrave, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka hapur seancën dhe ka lajmëruar rendin e ditës, duke përfshirë edhe miratimin e dekreteve.

Votimi

Pasi ka përfunduar shqyrtimin e projektligjeve që ishin në rend të ditës, Kuvendi ka kaluar në proces votimi, ku të fundit në radhë kanë qenë dhe dekret. Dekreti i parë që është votuar ka qenë ai për shkarkimin e Ferdinant Xhaferajt nga posti i ministrit të Kulturës, i cili dha dorëheqjen nga posti që para zgjedhjeve vendore, për shkak se do të kandidonte për kryetar të Bashkisë së Durrësit. Me votim të hapur 70 deputetë kanë votuar pro shkarkimit të tij, ndërkohë që deputeti i LSI për Durrësin, Lefter Koka, ka abstenuar. Më pas në votim ka kaluar dekreti i Presidentit për emërimin e Aldo Bumçit në vend të Xhaferajt në postin e ministrit të Kulturës. Kandidatura e Bumçit ka marrë 71 votat e gjendura në sallë, duke përfshirë edhe vetë votën e tij. Po aq mori edhe dekreti për emërimin e Eduard Halimit në postin e ministrit të Drejtësisë, ku natyrisht edhe ky si Bumçi ka votuar edhe për veten e vet. Emrat e rinj të kabinetit qeveritar janë figura të reja të PD-së dhe vijnë si anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Eduard Halimi është zgjedhur në 2009-ën deputet, ndërsa më herët ka qenë zv/ministër i Drejtësisë. Ai kryesoi intensivisht për një muaj komisionin hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 Janarit. Ndërkaq, Aldo Bumçi rikthehet pas gati 4 vjetësh në qeverinë e djathtë. Për dy vite rresht, pas zgjedhjeve të 2005-ës, ai ishte ministër i Drejtësisë. Emërimi i tij në një tjetër post, duke sjellë edhe rikthimin në kabinetin qeveritar, është një shpërblim i hapur për kryetarin e PD-së së Tiranës, për fushatën në zgjedhjet e 8 majit në kryeqytet. Dy vendet vakante në kabinetin Berisha ishin që para zgjedhjeve të 8 majit, ky dy ministrat Lulzim Basha dhe Ferdinand Xhaferri kandiduan për kryetar Bashkie. Lëvizja e Kryeministrit në atë kohë ishte zhvendosja e Bujar Nishanit nga posti i ministrit të Drejtësisë në atë të Ministrisë së Brendshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›