Mazhoranca miraton plotësimet e komisioneve
Lëvizjet në kabinetin qeveritar dhe emërimi i Eduard Halimit si ministër i Drejtësisë dhe Aldo Bumçit si ministër i Kulturës kanë sjellë një ortek ndryshimesh dhe zëvendësimesh edhe në komisionet e përhershme apo ata të posaçëm kuvendor. Në të njëjtën seancë ku u miratuan dekretet për emërime në kabinetin qeveritar, Kuvendi ka votuar edhe për një numër të madh emërimesh dhe zëvendësimesh në komisionet parlamentare, këto si lëvizje të detyruara për shkak të mungesës së votave që mazhoranca ka nëpër komisione për të siguruar kuorumin e nevojshëm për nisjen e mbledhjeve të tyre. Kështu, me propozim të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët Rajmonda Bulku dhe Ilir Bano, të cilët deri më tani kanë qenë zëvendësues në komisionin e Ligjeve, u zgjodhën anëtarë të përhershëm të tij, ndërsa deputeti Viktor Gumi u zgjodh sekretar në vend të Eduard Halimit që u zgjodh ministër. Ndërsa deputetët Fatbardh Kadilli dhe Florion Mima janë zgjedhur si anëtarë zëvendësues të këtij komisioni. Përsa i përket Komisionit për Integrimin Europian, deputetja Mesila Doda u caktua zëvendëskryetare e këtij komisioni, në vend të Aldo Bumçit, ndërsa deputeti Gerti Bogdani sekretar dhe deputeti Viktor Gumi anëtar. Sipas të njëjtit propozim, deputeti Gjokë Uldedaj u caktua anëtar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe deputeti Ismail Hoxha anëtar zëvendësues në këtë komision. Deputeti Luan Skuqi u caktua anëtar zëvendësues në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputeti Ndue Paluca anëtar zëvendësues në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Ndryshime pësoi edhe komisioni hetimor për ngjarjet e 21 Janarit, ku deputeti Fatbardh Kadilli u caktua anëtar i këtij komisioni dhe zoti Gent Strazimiri kryetar i tij në vend të Eduard Halimit që dje u emërua ministër Drejtësie. Me këto votime Kuvendi mbylli dhe sesionin parlamentar, për të marrë pushimet e verës.