E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen ndryshimet, Ndoka shkarkohet nga nanoistët

Kuvendi miratoi dje lëvizjet e fundit në qeveri. Anila Godo merr votat abstenuese të demokristianëve TIRANË- Riformatimi i qeverisë së kryeministrit Sali Berisha ka kaluar dje me shumicën e mjaftueshme të votave, ndërkohë që demokristianët kanë abstenuar për emërimin e Anila Godos në postin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ka qenë thuajse një “votë” në bllok, përfshi këtu edhe votat e deputetëve nanoistë, për lëvizjet më të fundit të qeverisë “Berisha”. Genc Pollo ka thyer dje rekordin e votimit, duke marrë 84 vota pro shkarkimit të tij nga posti i Ministrit të Arsimit. Ndërsa Fatos Beja, i cili nga sot do të jetë ministri i ri i këtij dikasteri ka marrë 81 vota pro, 44 kundër dhe 6 abstenime. Ndërkohë deputetët e kanë parë më pozitivisht emërimin e Pollos në postin e zv-kryeministrit, duke votuar për të 78 deputetë të mazhorancës dhe 47 kundër nga opozita. Anila Godo e cila do të jetë Ministrja e ardhshme e Shëndetësisë ka marrë numrin më të madh të votave abstenuese, 13 të tilla, për shkak të qëndrimit abstenues edhe të demokristianëve, të cilët nga sot nuk do të jenë më në këtë dikaster. Ndërsa paraardhësi i saj, Nard Ndoka, për katër vota ka shpëtuar mazhorancën nga verdikti për shkarkim. Më saktë, duket se kanë qenë pikërisht votat e nanoistëve që kanë kontribuar në shkarkimin e Ndokës, duke pasur parasysh se për lirimin e tij nga detyra e Ministrit të Shëndetësisë kanë votuar 74 deputetë, nga 71 që minimalisht lejon ligji. Për shkarkimin e Ndokës kanë votuar 49 deputetë kundër, ndërkohë që ka pasur edhe vota abstenuese, 9 të tilla. Me miratimin e djeshëm, dy ministrat, Fatos Beja dhe Anila Godo do të betohen sot para Presidentit të Republikës, ashtu si edhe zv-Kryeministri Genc Pollo. Pas betimit, ku normalisht duhet të marrin pjesë kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministrat e “rinj” do t’i drejtohen zyrave të punës për të zyrtarizuar përfshirjen e tyre në qeveri në mbledhjen e ditës së mërkurë, ku pritet edhe ndonjë qëndrim i kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk ka dhënë asnjë koment publik rreth ndryshimeve që ai bëri. Deri më tani, i vetmi zë nga Kryeministria ka qenë ai i zëdhënëses së Kryeministrit, Juela Meçani, e cila pak ditë më parë, njoftoi Berisha, kishte depozituar zyrtarisht pranë Presidentit emrat për përbërjen e re të qeverisë.

Rezultatet e votimit të mbrëmshëm

Genc Pollo shkarkohet nga posti i Ministrit të Arsimit

84 pro, 30 kundër, 13 abstenime

Genc Pollo emërohet Zv/kryeministër

78 pro, 47 kundër, 8 abstenime

Fatos Beja emërohet Ministër i Arsimit

81 pro, 44 kundër, 6 abstenime, 4 nuk morën pjesë në votim

Nard Ndoka shkarkohet nga Ministri i Shëndetësisë

74 pro, 43 kundër, 9 abstenime, 9 nuk morën pjesë në votim

Anila Godo

79 pro, 35 kundër, 13 abstenime, 9 nuk votuan

Kuvendi vendos gjithashtu emërimin e Ilir Rusmalit nw krye tw komisionit tw ligjeve

Reforma Zgjedhore, shtyhet mandati i Komisionit

TIRANË- Vazhdon shtyrja e radhës e mandatit për komisionin për reformën zgjedhore. Kuvendi miratoi mbrëmë shtyrjen e mandatit të këtij komisioni deri më 31.09.2008 me votat pro të partive politike parlamentare. Pra me vendimin e djeshëm, Komisioni për Reformën Zgjedhore do te duhet që të mbaroje të gjithë Kodin e ri Zgjedhor në fund të muajit Shtator të këtij viti. Po mbrëmë, Kuvendi miratoi projektvendimin "Për disa ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit". Sipas këtij projektvendimi, deputeti i PD-së, Ilir Rusmali zgjidhet kryetar i komisionit për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut, në vend të deputetit Fatos Beja. Gjithashtu, deputeti Gjovalin Prenga, nga anëtar i komisionit për sigurinë kombëtare zëvendëson deputetin Fatos Beja, si anëtar i përhershëm i komisioni të ligjeve.Ky ndryshim në përbërjen e komisionit të ligjeve vjen pas emërimit të Fatos Bejës, në postin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Në bazë të këtij projektvendimi, deputeti Engjell Cara kalon nga komisioni i integrimit si anëtar i komisionit të veprimtarisë prodhuese. Ndërsa deputeti Fatmir Mediu zgjidhet në Komisionin e Jashtëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›