Bujar Leskaj: Ja projektet ku dështuam
Deputeti i Partisë Demokratike radhit pikat më të rëndësishme ku politika dështoi
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj është ndër të paktët deputetë të mazhorancës që pranon dështimin e politikës shqiptare pikërisht në axhendën e saj parlamentare lidhur me drafte të rëndësishme, që erdhën me aq bujë në Kuvend, por që më pas u shtynë një e nga një, për t’ia kaluar sesionit të ri parlamentar. “Ne duhet ta pranojmë, ose të paktën duhet ta pohojmë, që ne dështuam në këtë sesion për të kaluar ligjin për imunitetin e deputetit, dështuam në këtë sesion për të kaluar ligjin për verifikimin e figurës të të zgjedhurve, përfshirë deputetët apo edhe drejtuesit e administratës publike. Nuk realizuam në kohë, reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi”,- tha dje Leskaj. Në fakt, të gjitha pikat e mësipërme, edhe pse u trumbetuam me shumë bujë dhe gatishmëri për t’i kaluar, nuk u miratuan asnjë prej tyre. Kështu, drafti për reformën zgjedhore, më saktë Kodi i Ri Zgjedhor edhe pse u paralajmërua se do të kalojë brenda këtij sesioni parlamentar, partitë politike arritën që të kalojnë vetëm 40 nene, përmbajtja e të cilave fillon që nga parimet e përgjithshme, e deri tek përmbajtja e fletës së votimit. Forcat politike në vend nuk arritën që të futen në çështje të rëndësishme, duke e shtyrë debatin për në muajin Shtator. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për reformën në drejtësi. Kryeministri Sali Berisha premtoi se PD ishte e gatshme të kalonte draftin e përgatitur nga PS, por përtej këtij qëndrimi asgjë nuk u arrit konkretisht. Për të kaluar më pas tek projektligji për pastrimin e figurës që ngërtheu Kuvendin për dy javë rresht në diskutime të zjarrta, por që me ndërhyrjen edhe të OSBE-së, PD u detyrua të tërhiqej në pritje të gjetjes së një konsensusi me PS-në për shkak të përmbajtjes delikate që ky draft ka. Ndërsa projektligji për kufizimin e imunitetit të deputetit, edhe pse i përfshirë në kalendarin tre javor të punimeve, nuk u diskutua në asnjë rresht të saj në Komisionin e Ligjeve, duke e kaluar edhe këtë projekt për t’u diskutuar vetëm në sesionin tjetër.