E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen ndryshimet për sigurimet shoqërore

Duke filluar nga data 1 maj 2009, masa e kontributit të sigurimit shoqëror do ulet me 5 njësi, duke kaluar nga 29.5 në 24.5 %. Kjo parashikohet në p/ligjin "Për sigurimet shoqërore", ndryshimet e te cilit u miratuan sot nga Komisioni i Ekonomisë 

TIRANE- Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot disa ndryshime në p/ligjin "Për sigurimet shoqërore". Pr\ligji parashikon uljen e masës së kontributit të sigurimeve shoqërore të personit të vetëpunësuar.

Projektligji parashikon ndryshime të rëndësishme në masën e kontributit, e cila paguhet nga punëdhënësi për financimin e përfitimeve që ofron sistemi i sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, meqënëse reduktimi i masës së kontributeve do të japë efekte në uljen e kontributit në 5 degët e sigurimit, ai do të ketë efekte edhe në uljen e masës së kontributit të sigurimeve shoqërore të personit të vetëpunësuar.
Duke filluar nga data 1 maj 2009, masa e kontributit të sigurimit shoqëror do të ulet me 5 njësi, duke kaluar nga 29.5 në 24.5 %.
Qëllimi i këtij p/ligji është lehtësimi i veprimtarisë së subjekteve nga barra e kontributeve, duke krijuar mundësitë për rritjen e numrit të kontributpaguesve në sistemin e sigurimeve shoqërore, shmangien e veprimtarisë joformale dhe krijimin e raporteve më të drejta në zërat e shpenzimeve me synimin e deklarimit të pagave e të shpërblimeve.
Reduktimi i normës së kontributeve do të ketë një efekt ekonomik të dyanshëm. Nga vlerësimet e ministrisë së Financave vlerësohet se ulja e kontributeve me 5 % do të ketë një efekt negativ në të ardhurat e buxhetit të vitit 2009 me rreth 4 miliardë lekë në skemën e sigurimeve shoqërore. Por ky efekt negativ do të kompensohet përmes rritjes së interesit të të punësuarve dhe të punëdhënësve për t'u përfshirë më gjerë në skemën e sigurimeve shoqërore.
Sistemi i sigurimeve shoqërore ofron mbrojtje për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, në rast të pakësimit të të ardhurave për shkak të sëmundjes, barrëlindjes, për moshë madhore, për shkak të invaliditetit apo në rast vdekje për shkak të aksidenteve në punë dhe për papunësinë.

(d.b/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›