E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen procedurat e reja të raportimit nga Kadastra për parandalimin e pastrimit të parave

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që përcakton formën, mënyrën dhe procedurën e raportimit të të dhënave nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në funksion të forcimit të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Sipas vendimit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës detyrohet të raportojë pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare çdo transaksion të tjetërsimit të pronës me vlerë të barabartë ose mbi 6 milionë lekë brenda 72 orëve nga regjistrimi, si dhe çdo aktivitet të dyshimtë që lidhet me veprimtari të paligjshme financiare.

Raportimet do të kryhen në mënyrë elektronike, sipas formularëve të përcaktuar, ndërsa institucioni do të caktojë persona përgjegjës për monitorimin dhe identifikimin e rasteve të dyshimta, duke garantuar konfidencialitetin e informacionit.

Vendimi parashikon gjithashtu akses të drejtpërdrejtë të Agjencisë së Inteligjencës Financiare në bazën e të dhënave të Kadastrës, si dhe detyrimin për t’iu përgjigjur kërkesave për informacion brenda afateve ligjore.

Ky akt synon rritjen e transparencës në tregun e pasurive të paluajtshme dhe forcimin e mekanizmave për parandalimin e pastrimit të parave.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›