Miratohet kërkesa e Prishtinës për parking nëntokësor

Komiteti për Partneritete Publiko Private sot aprovoi Strategjinë për Zhvillimin e Partneriteteve Publiko Private në Republikën e Kosovës 2013 – 2016 dhe njëkohësisht aprovoj kërkesën e Komunës së Prishtinës “Parkingu nëntokësor, PPP-07-13”. Bazë për hartimin e Strategjisë janë rishikimi i infrastrukturës ligjore dhe rregullative, si dhe konsultimin me palët kyçe të interesit, qeveritare dhe joqeveritare, përfshirë përfaqësuesit e organizatave donatore.
Pra përfshin një proces të shqyrtimit dhe të identifikimit të çështjeve kryesore të zhvillimit për të përcaktuar objektivat strategjike të përshtatshme që mund të jenë të arritshme dhe për të siguruar rezultate brenda afatit kohor të strategjisë dhe në varësi me burimet në dispozicion.
Pas shqyrtimit dhe aprovimit nga Komitetit për Partneritete Publiko, strategjia do ti procedohet Qeverisë për aprovim, njofton kumtesa nga Ministria e Financave.
Në këtë takim është aprovuar edhe Projekt Propozimi nga Komuna e Prishtinës “Parkingu nëntokësor, PPP-07-13”, i cili ka për qëllim projektimin, financimin dhe të ndërtimin e parkingut në vendndodhjen e caktuar nga Komuna, operimin, drejtimin dhe të mirëmbajtjen e parkingut dhe kryerjen e shërbimeve të parkingut, si dhe rregullimin dhe mirëmbajtjen e sipërfaqes së vendndodhjes./Indeksonline/