Katër të arrestuar për zjarrin në kompleksin “Arlis”, Kompania: Do rindërtojmë apartamentet

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi se në vijim të hetimeve për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe përhapjes së zjarrit në kompleksin e banimit “Arlis”, në zonën e njohur si “Farmacia 10”në Tiranë, ka arrestuar 4 persona dhe proceduar penalisht 4 të tjerë.
Policia njoftoi se konkretisht u arrestuan shtetasit: A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”; R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”; E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”; A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, sipas policisë nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.
Policia bëri me dije se nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.
Gjithashtu, sipas policisë shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.
Nga flakët njoftoi policia, u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve përgjegjës për këtë rast.
Në lidhje me ngjarjen, reagoi edhe kompania e ndërtimit “Arlis Ndërtim”, e cila sqaroi se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit të miratuar nga autoritetet përkatëse, pa shtesa katesh apo devijime nga projekti i miratuar.
“Përveç sistemeve anësore që janë veranda, të cilat gjithashtu janë miratuar nga organet kompetente. Të gjitha punimet janë realizuar duke respektuar standardet më të larta të ndërtimit dhe sigurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më tepër, këto punime janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente, duke garantuar përmbushjen e të gjitha kërkesave teknike dhe ligjore”.
Kompania shton se objekti ka kaluar procedurat e kolaudimit dhe certifikimit dhe është dorëzuar në mënyrë të rregullt në vitin 2021, sipas procedurave ligjore.
Pavarësisht se, sipas saj, nuk mbart përgjegjësi ligjore për ngjarjen, “Arlis Ndërtim” deklaron se në kuadër të përgjegjësisë sociale do të marrë përsipër rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit dhe rikonstruksionin e apartamenteve të dëmtuara, duke i kthyer ato në gjendjen fillestare.
“Gjithashtu, shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjitha apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin në çelësa në dorë në momentin e dorëzimit. Ky angazhim synon të kontribuojë në rikthimin sa më të shpejtë të kushteve normale të jetesës dhe në minimizimin e pasojave të kësaj ngjarjes”, njoftoi kompania “Arlis”.
/m.q/a.f/