E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet ligji për amnistinë

(E plotësuar) Me 90 vota pro, 17 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi i Kosovës e ka miratuar ligjin për amnisti.

-----

Para pak çastesh është mbledhur Komisionit Parlamentar për Legjislacion në të cilën ka shqyrtuar pas miratimit në lexim të parë, projektligjin për Amnistinë. Anëtarët e komisionit e kanë miratuar me unanimitet këtë projektligj, përveç Deputetes Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje e cila prapë ka kundërshtuar shkuarjen në seancë për miratim në lexim të dytë, transmseton RTK.

Komisioni tash pritet t’ia procedoj seancës se Kuvendit për miratim në lexim të dytë me procedura të përshpejtuar.

Në ora 15:00 në seancën tjetër që pritet të jetë vazhdim i asaj të kaluarës pritet të hyjë në rend dite edhe miratimi i këtij projektligji në lexim të dytë.

................

Kuvendi i Kosovës me 91 për, 17 kundër dhe asnjë abstenim miratoi në parim Projektligjin për Amnisti.

Votimi i dytë dhe final për këtë ligj, pritet të bëhet po sot, gjatë seancës së pasditës.

Projektligji është mbështetur nga të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar Vetëvendosjen, e cila ka vlerësuar se përmes këtij ligji po amnistohet krimi.

............

Kuvendi i Kosovës ka nisur debatin në lidhje me Projektligjin për amnistinë. Drafti është prezantuar para deputetëve nga zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ai ka thënë se projektligji trajton çështjen e amnistisë konform kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Njëherësh, Kuçi i ka njoftuar deputetët se janë marrë parasysh të gjitha vërejtjet e seancës së fundit, kur Kuvendi kishte dështuar ta miratonte atë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme.

Më pas, gjatë debateve, projektligji është mbështetur nga partitë e koalicionit, PDK, AKR dhe pakicat.

Po ashtu, edhe dy partitë opozitare, LDK dhe AAK i kanë dhënë mbështetje.

Në emër të LDK-së, deputeti Haki Demolli ka thënë me heqjen e nenit tre nga ky projektligj janë plotësuar kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kështu që edhe është mbështetur për aprovim.

Ndërkaq në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Ardian Gjini ka vlerësuar se versioni i sotëm i projektligjit e përjashton mundësinë e faljes së krimeve të rënda ordinere andaj edhe i ka dhënë mbështetje miratimit të tij.

Edhe kësaj radhe, lëvizja Vetëvendosje ka qenë kategorike kundër miratimit të projektligjit të amnistisë.

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se projektligji nuk i plotëson standardet ndërkombëtare dhe si i tillë nuk duhet të miratohet.

Përmbajtja e tij, sipas deputetes Haxhiu është caktuar në dialogun me Serbinë sipas dëshirave të kryeminisrit serb Ivica Daçiq.

Debati po i vazhdon dhe pritet që në fund të votohet për miratimin e tij.

Nëse Projektligji merr mbështetjen e deputetëve, atëherë ai do të procedohet për miratimin final gjatë seancës së pasditës, ngase Kuvendi ka vendosur që ai të kaloj me procedura të shpejtuara.

Ky Ligj buron nga Marrëveshja 15 pikëshe e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përmes këtij ligji ishte menduar të amnistohen strukturat paralele ilegale në veri të cilat sipas marrëveshjes më pas do të fillonin integrimin në strukturat legale të Kosovës.

....................................

Arben Gashi nga LDK-ja tha se Komisioni për legjislacion e ka shqyrtuar projkrligjin.


“Komisioni për legjislacion kërkon nga Kuvendi që ta përkrahin dhe të votohet projektligji, pasi është fshirë neni 3 në tersi”.

Partitë më të mëdha në Kuvend, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja janë deklaruar se do të votojnë projektligjin, kurse VV-ja ka dhenë arsyet e veta se pse do të votojë kundër.

......................

Ka filluar Seanca e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi ka sot në rend dite shqyrtimin në lexim të parë, të projektligjit të amnistisë, të risjellë nga Qeveria, pas heqjes së nenit 3.

Herën e parë, ky projekt-ligj nuk arriti që të kaloj, pasi nuk mblodhi dy të tretat e votave të nevojshme, që kërkohen për ndryshime të tilla./Indeksonline/

------

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë sot para vetes sërish projekt-ligjin për amnistinë, por në një formë që thuhet të jetë më ndryshe nga drafti i parë.

Në leximin e parë, ky projekt-ligj nuk arriti që të kaloj, pasi nuk mblodhi dy të tretat e votave të nevojshme, që kërkohen për ndryshime të tilla.

Për të kundërshtuar miratimin e këtij projekt-ligji, mbi 6,000 qytetarë janë nënshkruar në një peticion të shoqërisë civile i cili pritet të dërgohet në kuvend.

Ndryshe, në kohën kur në parlament do të debatohet për projekt-ligjin e amnistisë, jashtë ndërtesës është paralajmëruar një protestë e cila është thirr për në orën 11h.

Tash e gjashtë ditë, përballë kuvendit proteston një grup i qytetarëve dhe aktivistë të Vetëvendosjes, në shenjë kundërshtimit të projekt-ligjit për amnistinë.

Seanca e sotme në Kuvend është caktuar për orën 10./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›