E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet lista e barnave të rimbursueshme me 1540 barna kryesore dhe alternative

Këshilli i Ministrave miratoi sot listën e barnave të rimbursueshme me 1540 barna kryesore dhe alternative. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo listë është ndër listat më të plota që ekzistojnë dhe siguroi se një shërbim shëndetësor i standardeve sa më të larta është në parësore për qeverinë.   

“Në vitin 2005, për këtë listë paguheshin gjithsej 3.2 miliardë lekë dhe sot, kostoja e saj është 8.4 miliardë lekë. Në vitin 2005, buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka qenë gjithsej 50 milionë dollarë ose 5 miliardë lekë, sot është 30.8 miliardë lekë,” - bëri të ditur Kryeministri.  

Kryeministri Berisha theksoi se 520 mijë pensionistë i kanë barnat 100 përqind të rimbursueshme, ndërsa kërkoi nga Ministria e Punës që në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Shëndetësor të zgjidhë problemi i grave shtëpiake, të cilat hasin pengesa burokratike për përfitimin e barnave të rimbursueshme.

Duke sjellë mesazhin e një qytetari, Kryeministri Berisha u shpreh se alternativa që ne ofrojmë është ajo e ëndrrave të shndërruara në realitet, përkundër alternativës që kemi përballë që flet për ëndrra në diell.   

Fjala e Kryeministrit në mbledhjen e qeverisë.

“Sot miratojmë listën e barnave, të përgatitur me shumë përkushtim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimeve Shëndetësore. Është një kënaqësi e madhe për mua të informoj qytetarët shqiptarë që lista që miratojmë sot është një nga më të plotat që ekziston kund. Kjo listë përmban 420 principe aktive, ndërsa si barna alternative lista ka 1120 barna të tjera. Është absolutisht një ndër më të plotat që ekziston.

E kam theksuar dhe e theksoj se ne do të bëjmë gjithçka për zemrën e dhembshur. Unë e kuptoj që sot ka qytetarë, të cilët, për shkak të burokracisë, por ndonjëherë edhe papërgjegjshmërisë, përballen me mangësi të pamerituara në shërbimin apo kujdesin shëndetësor, por kjo, absolutisht, nuk ka asnjë lidhje me politikën tonë të vendosur për të ofruar shërbimin cilësor më të mirë. Ne e faktojmë këtë në të gjithë përpjekjet tona të mëdha. Unë mund të jap disa shembuj. Le t’i referohemi hemodializës. Kur erdhëm në pushtet gjetëm një listë qesharake. Pjesa më e madhe e të sëmurëve e bënin hemodializën në Strugë dhe Janinë, për mirësi, sepse në Shqipëri ajo ishte tërësisht ekzotike. Sot janë mbi 600 të sëmurë që përfitojnë nga kjo dhe nuk ka pacient që ka nevojë për hemodializë dhe të mos ketë të drejtën e saj. Këtë vit, Ministria e Shëndetësisë përcaktoi në buxhet shumën për një mori transplantesh në veshka. Këto ditë, në një nga spitalet private u krye një nga transplantet më të rëndësishme siç është ai i mëlçisë, që është një laborator dhe i urojmë shërim të shpejtë vogëlushit dhe falenderojmë ekipin e përzier të mjekëve për punën e shkëlqyer.

Unë siguroj shqiptarët se do të bëjmë gjithçka për standardet më të larta të shërbimeve ndaj tyre. Unë i kuptoj kamerat kur shkojnë e kapin qoshe, dyer a dritare të rëna të mjediseve të braktisura për rikonstruksion, për të paraqitur Shqipërinë tjetër, Shqipërinë e rikonstruksionit. Unë ftoj kameramanët të filmojnë edhe teknologjitë më të avancuara që ekzistojnë në ndonjë vend, siç janë paint skaner, rezonancat e variantit të fundit, akseleratorët e mjetet më moderne që ekzistojnë kund. Ne nuk kemi kursyer e nuk kursejmë që qytetarët shqiptarë të kenë mjetet më të sakta për diagnozën e sëmundjes. Apo telemjekësia që është telefantazia ose mjekësia e fantazisë, përmes së cilës nga një qark i Shqipërisë, mjekët mund të konsultohen me homologët e tyre në Houston, në qendrat më moderne të botës, nëpërmjet imazheve filmike që transmetohen në kohë reale në qendrën e konsultës.   

Duke iu rikthyer listës, në vitin 2005, për këtë listë paguheshin gjithsej 3.2 miliardë lekë dhe sot, kostoja e saj është 8.4 miliardë lekë. Në vitin 2005, buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka qenë gjithsej 50 milionë dollarë ose 5 miliardë lekë, sot është 30.8 miliardë lekë. Ky është qëndrimi ynë ndaj shëndetit të qytetarëve. Kjo është politika jonë për një shërbim shëndetësor që është në reformim e sipër, por një shërbim shëndetësor që shënon edhe kulmet e tij, një sistem shëndetësor që ka arritur ta rendisë Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara përsa i përket 3-4 treguesve më themelor të një shoqërie e kombi: Vdekshmërisë së fëmijëve njëshifrore; vdekshmërisë amtare njëshifrore, në një kohë kur një seri vendesh të zhvilluara e kanë dyshifrore; vdekshmërisë së përgjithshme më të ulët se të gjitha vendet ish komuniste, ndonëse disa prej tyre renditen sot në vendet e zhvilluara anëtare të OECD-së dhe jetëgjatësisë të krahasuar jo me një, por disa vende të zhvilluara. Me reformat që janë në vazhdim ne ecim drejt një përmirësimi të mëtejshëm të këtij shërbimi, duke i dhënë gjithnjë e më shumë përparësi parandalimit dhe forcimit të shëndetit e zhvillimit të tij.

520 mijë pensionistë kanë të rimbursuar 100 përqind barnave që marrin. Atyre, të cilët derdhin lot krokodili se pensionistët nuk marrin dot mjekimet, u them: Njihuni me ligjet, praktikat dhe me reformat e vendit. Ata meritojnë padiskutim pensione më të mëdha dhe ne po i rrisim, por ne ju garantojmë rimbursim, sipas diagnozave, të ilaçeve dhe natyrisht mjekimin.  

Zoti ministër i Punës, ekziston një problem, për të cilin i kam kërkuar ministrisë dhe Institutit të Sigurimeve Shëndetësore ta shqyrtojnë. Bëhet fjalë për gratë shtëpiake. Të tilla ka kudo në botë, madje do ecim edhe drejt burrave shtëpiakë, por që për shkak të përcaktimeve ligjore kanë një vështirësi aksesi në rimbursim. Ndaj do ta shihni këtë problem sëbashku me Institutin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Ministrinë e Shëndetësisë, me qëllimin që të mos hasin asnjë vështirësi, por që burokracia u nxjerr atyre disa pengesa të pamerituara.

Theksoj edhe një herë se lista në vitin 2005 ka qenë 3.2 miliardë dhe i lanë të gjitha borxh. Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, shtylla më kryesore e financimit, ishte tërësisht i falimentuar. E kishin falimentuar, nuk kishin mbuluar shpenzimet dhe ne u ndodhëm para një situate të vështirë, por me vullnetin më të fortë jo vetëm garantuam financimin, por financimi për këtë Institut nga buxheti i shtetit është pesëfishuar. Lista e barnave nga 3.2 miliardë lekë, sot është 8.4 miliardë lekë, pra, mbi 2.5 herë. Ndërsa shtesa në listën e barnave me princip aktiv është 160 barna dhe në listën e barnave alternative janë shtuar edhe 400 barna të tjera, për të mbuluar më mirë nevojat shëndetësore, ku pensionistët, foshnjat i marrin të gjitha barnat me rimbursim të plotë.

Ky është një vendim që e nderon këtë qeveri dhe këtë mazhorancë. Një qytetar i nderuar më bëri një mesazh, ku më thoshte: Të dy palët flisni për ëndrra, por kjo mazhorancë flet për ëndrra të shndërruara në realitet, zotëria në fjalë flet për ëndrra në diell. E vërteta është se më bukur se e ka thënë ky qytetar në mesazhin e tij, që kishte lidhje me TAP, nuk mund ta përshkruaja ndryshe dhe nuk mund të lija pa ia paraqitur qytetarëve mendimin e mençur dhe sintezën e shkëlqyer që i ka bërë ky qytetar dy alternativave: Njëra ëndrra të shndërruara në realitet, tjetra ëndrra në diell dhe vetëm ëndrra në diell.”


06/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›