Miratohet Akti Normativ për pajisjen me leje përdorimi të pallateve me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit

Këshilli i Ministrave miratoi sot Aktin Normativ për pajisjen me leje përdorimi të strukturave të ndërtuara me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit para fillimit me efekte të plota të ligjit “Për planifikimin e territorit”.
Me këtë Akt, qytetarët që banojnë në këto objekte me leje ndërtimi, por tek të cilat janë kryer shtesa pa leje, anësore apo në lartësi tej lejes së ndërtimit, ndryshim të projektit të miratuar etj., marrin një përzgjidhje përfundimtare të problemit. Akti Normativ autorizon këshillat bashkiake të trajtojnë problemin.
Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Me Aktin Normativ, qeveria do të autorizojë të gjitha këshillat bashkiake të Shqipërisë për legalizimin e plotë të të gjitha pallateve që janë ngritur në kushtet e përcaktuara urbanistike të ligjit. Kjo përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm. Kompetencat e pushtetit vendor respektohen dhe fuqizohen dhe do të kenë mundësi të marrin përsipër të gjitha proceset e kolaudimeve, vlerësimeve dhe certifikimeve dhe qytetarët të bëhen pronarë, siç janë, të apartamenteve të tyre. Ky problem ekziston në Tiranë, në Vlorë, në Durrës, në Shkodër dhe në të gjitha qytetet e mëdha, pasi qytetet e mëdha kanë pasur edhe bumin më të madh ndërtimor. Me këtë Akt pritet nyja Gordiane, sepse nyjet, kur nuk zgjidhen, priten. Ky është mësimi i historisë dhe me këtë Akt, ne presim nyjën Gordiane, e cila bllokonte dhe i mbante të paralizuara këto shuma shumëmiliardëshe.”
06/02/2013