Miratohet ndërtimi i tre centraleve fotovoltaike në Lushnjë, Sarandë dhe Poliçan

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar sot ndërtimin e tre centraleve gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike në Lushnjë, Sarandë dhe Poliçan, në kuadër të rritjes së kapaciteteve nga burimet e rinovueshme.
Sipas relacioneve që shoqëron këto vendime, në Lushnjë, në fshatin Savër, shoqëria “3X Energy” sh.p.k. do të ndërtojë një central fotovoltaik me kapacitet 70 MW, ndërsa në Sarandë shoqëria “Park Sol Energy” sh.p.k. do të zhvillojë një central me kapacitet 50 MW. Në Poliçan, shoqëria “X One” sh.p.k. do të ndërtojë një impiant me kapacitet 54 MW.
Sipas vendimeve, projektet parashikojnë afat ndërtimi deri në 36 muaj dhe operim deri në 49 vjet, si dhe detyrime për respektimin e standardeve mjedisore dhe raportim periodik tek institucionet përgjegjëse.
Po ashtu, kompanitë do të kontribuojnë me 2% të prodhimit vjetor të energjisë ose vlerës së saj monetare në buxhetin e shtetit, sipas përcaktimeve të vendimeve të qeverisë.
/e.xh/r.e/a.f/