Miratohet në parim ligji për Gjykatën Administrative
Komisioni i Ligjeve ka kaluar në parim projektligjin për Gjykatën Administrative. Deputetët e Partisë Socialiste në komision mbështetën në parim ligjin por theksuan se edhe pse ligji ka përmirësime në krahasim me atë të vitit 2008 ka disa çështje që kërkojnë debat.
Sipas tyre projektligji propozon ngritjen e 6 gjykatave të Shkallës së Parë dhe një gjykatë Apeli si dhe parashikon gjykim të shkurtuar si dhe përcakton kriteret për gjyqtarët
Nga ana e tyre deputetët e mazhorancës kanë deklaruar se Partia Socialiste po kërkon një alibi për të thënë që dha kontibutin e saj për projektligjin. Sipas tyre deputetët duhet të zhvishen nga emocionet politike për ligjin për Gjykatën Administrative.
Ligji prej vitesh ka mbetur peng i konsensusit politik edhe pse ngritja e një institucioni të tillë, si pjesë e sistemit të drejtësisë është dhe një nga kushtet që vendi duhet të plotësojë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.