Rama inspekton punimet e banesave sociale

Kryetari i Bashkisë deklaroi se banesat sociale do të jenë gati për të mikpritur familjet e pastreha në fillim të 2011-ës
Brenda bllokut të banimit përfshihet edhe një qendër sociale për fëmijët në nevojë dhe të moshuarit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë ditës së djeshme ka inspektuar nga afër punimet për ndërtimin e kompleksit të banesave sociale në periferi të kryeqytetit, në zonën e Shkozës.
Gjatë vizitës së tij, kryebashkiaku Rama tha se ky projekt synon të përbëjë vizionin e ri të strehimit social për familje, të cilat pavarësisht se janë në kushte të vështira sociale dhe ekonomike meritojnë të jetojnë në një mjedis cilësor dhe të sigurt.
Janë rreth 400 familje në kryeqytet, të cilat do të përfitojnë nga programi social i strehimit, ku, sipas kreut të bashkisë, ato familje që do të përfitojnë nga ky program nuk do t'u jepet vetëm mundësia e strehimit, por edhe një paketë e plotë e shërbimeve sociale, ku përfshihen krijimi i kushteve normale e cilësore të jetesës, e deri tek mundësitë e punësimit.
"Ishte kënaqësi që të ndiqnim nga afër zhvillimin e punëve për qendrën e re sociale që do të integrohet brenda kësaj lagjeje të re, të cilën po e ndërtojmë për të pastrehët, ku 400 familje do të mund të gjejnë më në fund atë që kërkojnë prej shumë kohësh, një strehë me komoditet dhe hapësira publike tërësisht me standarde europiane", u shpreh Rama.
Qendra Sociale për fëmijët në nevojë dhe të moshuarit
Në këtë kompleks banimi Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me PNUD-in po ndërton edhe një qendër sociale për fëmijët në nevojë, me qëllim përmirësimi i cilësisë së jetës për fëmijët që lypin.
Pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve i përket komunitetit rom dhe projekti i qendrës sociale parashikon edhe ndërgjegjësimin e familjeve të tyre, duke ofruar edhe këshillim për procedurat ligjore, planifikimin familjar e të tjera.
Kështu, sipas projektit të Bashkisë, brenda këtij kompleksi banesash të ndarë në tre blloqe banimi do të ketë çerdhe, kopsht, shkollë, hapësira kreative për fëmijët e deri në një qendër sociale, duke krijuar kështu të gjitha lehtësirat e mundshme dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e jetës komunitare.
Vendimi për ngritjen e një qendre të tillë, Bashkia e ka marrë nisur nga analizat e nevojave për shërbime sociale, ku ka rezultuar se në Njësinë Bashkiake nr. 1, ka një përqindje të konsiderueshme të popullsisë rome. Qendra do të shërbejë si një qendër pritëse për të gjithë fëmijët e identifikuar apo referuar nga të tjerë njerëz, duke u përpjekur në tërheqjen e këtyre fëmijëve brenda ambienteve të saj.
Kompleksi i banesave sociale
Puna për ndërtimin e këtij kompleksi banimi ka nisur që në fillim të vitit 2009. Fondet për financimin e projektit kapin shifrën e 12 milionë eurove, prej të cilave 6.347 milionë euro janë financim me kredinë e marrë nga Banka e Këshillit të Europës, shumë e cila do të shlyhet nga Bashkia e Tiranës.
Projekti, i cili në fazën e parë parashikon ndërtimin e 3 blloqeve të banimit, aktualisht është në fazën përfundimtare në dy nga këto blloqe dhe po punohet për përfundimin e në fillim të vitit të ardhshëm të bllokut të tretë.
Krahas punës ndërtimore, paralelisht me këtë proces, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për procedurat e përzgjedhjes së përfituesve nga ky program social strehimi, mbështetur në kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 9232, datë 13.05.2004 "Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane".
Klasifikimi i familjeve që përfitojnë nga programet sociale të strehimit
Familjet, që klasifikohen për t'u trajtuar me programe sociale të strehimit, miratohen me vendim të këshillit bashkiak, sipas kritereve të mëposhtme:
a) nuk kanë në pronësi një banesë
b) zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje
c) kanë mbetur të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore
Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve
Trajtohen me përparësi individët ose familjet që kanë këto specifika:
a) familjet, të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga ligji nr. 7652, datë 23.12.1992 "Për privatizimin e banesave shtetërore"
b) familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar
c) familjet njëprindërore, që kanë në ngarkim fëmijë
ç) të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t'u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror
d) individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare
dh) familjet me shumë fëmijë
e) çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjç
ë) familjet që kanë ndryshuar vendbanimin për efekt punësimi
f) individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjç